Lajme

Kurti kujton sulmin me eksploziv në Veri: Prokuroria e Policia të zbulojnë fajtorët


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke e kujtuar 10-vjetorin e sulmit me eksploziv te “Tre Rokaqejt” në Veri të Mitrovicës, ka potencuar se autoritetet e prokurorisë dhe të policisë kanë gjithë mbështetjen që të veprojnë për zbulimin dhe kapjen e fajtorëve.

“U bënë 10 vite prej sulmit të tmerrshëm me eksploziv te “Tre Rrokaqiejt” në veri të Mitrovicës, në banesën e familjes Haradinaj. Ky sulm terrorist e vrau Selver Haradinajn dhe la të plagosur gruan e dy fëmijët e tij. Fajtorët nuk dihen”, ka shkruar Kurti në rrjetin e tij social në Facebook.

Sipas Kurtit, kohët e fundit institucionet kanë arritur të zbulojnë autorët e disa krimeve të kësaj natyre, prandaj ai beson që para drejtësisë do të vihen edhe vrasësi apo vrasësit e Selver Haradinajt.

“Përmes drejtësisë dhe dënimit të kriminelëve Kosovën do ta bëjmë vend demokratik e prosperues ku të gjithë qytetarët jetojnë e punojnë të sigurt pavarësisht përkatësisë kombëtare e fetare, gjinore e sociale”, ka shkruar Kurti në Facebook.

10 vjet më parë, Selver Haradinaj, u vra në banesën e tij në Veri të Mitrovicës, aty ku banonte me dy fëmijët e tij binjakë.

Sulmi ndaj Haradinaj dhe familjes së tij, kishte ndodhur përmes një eksplozivi, ku si pasojë, 38 vjeçari humbi jetën ndërsa fëmijët pësuan lëndime.

Organet e rendit asokohe ishin shprehur se sulmi mund të ketë pasur edhe prapavijë etnike dhe mund të jetë kryer prej strukturave ilegale e kriminale të Serbisë.

Fajtorët e këtij sulmi, i cili ishte cilësuar si akt terroriste ende nuk dihen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore