Lajme

Kurti kujton se ku ishte dhe çka ndjehu, kur dëgjoi për 11 shtatorin


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar ditën e 11 shtatorit para 20 viteve, kur ndodhën sulmet terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka rrëfyer se si gardianët serbë kishin festuar ditën e këtyre sulmeve.

“I gjithë burgu i Quprisë në Serbi ushtoi nga thirrjet e ekzaltimit dhe çirrjet e delirit të gardianëve. Mendova mos kishin shënuar Jugosllavia ose Cërvena Zvezda në ndonjë ndeshje sportive. Mirëpo jo. Aeroplanët e marrë peng kishin qëlluar dhe rrënuar kullat binjake në Nju Jork”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ndërsa, kujtoi momentet në të cilat ishte vetë ai në atë kohë.

“Pasditja e zymtë e burgut u bë ditë e zezë e 11 shtatorit 2001. I kisha kaluar 2 vjet e 4 muaj e gjysmë nga 15 vjet burg sa më patën dënuar”.

Tutje, Kurti tha se, “këto sulme terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndryshuan rrjedhën e historisë dhe kuptimin e kësaj date, e cila do të jetë përgjithmonë përkujtim i jetëve të humbura, por edhe i rëndësisë së guximit dhe trimërisë përballë fatkeqësive”.

Ai u shpreh se Kosova këtë ditë është duke e bashkëndjerë thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Sot përkujtojmë 20 vjetorin e sulmeve vdekjeprurëse që na tronditën të gjithëve, nderojmë, me dhembje e solidaritet, familjet e 2977 viktimave të pafajshme dhe mbarë kombin amerikan. Kosova bashkëndjen thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleat historik dhe i pazëvendësueshëm i Kosovës”.

Më 11 shtator 2001, e gjithë bota u trondite nga një sulm terrorist që goditi zemrën e SHBA-ve – World Trade Center.

Me autorisinë e marrë nga Osama bin Laden, kreu i al-Qaeda-s, amerikanët do të nisnin një mësymje në Afganistan, e cila do të zgjaste 20 vjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore