Lajme

Kurti: Kosova me kushte të favorshme për investitorët e huaj


Takimi i kreministrit Kurti me anëtarë të Odës Tregtare Kosovaro-Turke

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur takim konsultues të shtunën e 20 nëntorit me anëtarë të Odës Tregtare Kosovaro-Turke, me të cilët diskutoi për mundësitë e investimeve në Kosovë. Ai ka deklaruar se Kosova është në një raport tregtar me Turqinë rreth 1 me 40.

Kurti është shprehur se është shumë me rëndësi rritja e eksportit me Turqinë, duke shtuar se Qeveria e udhëhequr nga ai është e përkushtuar për nxitjen e investimeve nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm dhe të shpejtë ekonomik e social, dhe tolerancës zero ndaj krimit dhe korrupsionit.

Kosova e ka shkallën e ultë të inflacionit e cila paraqet rrezik të ultë për investitorët, dhe është importuese e madhe e mallrave të Turqisë.

“Ne ofrojmë huazim të tokave nga 10 deri në 99 vjet dhe shmangim tatimin e dyfishtë dhe gjithashtu i eliminojmë procedurat e gjata burokratike, me ç’rast në secilën komunë mund të hapet biznesi për vetëm tri ditë”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Sipas komunikatës së zyrës së Kryeministrit, afaristët u njoftuan edhe për funksionimin e zonave të veçanta ekonomike me infrastrukturë dhe lehtësira administrative, si në Drenas, Mitrovicë, Shtime, Therandë, Lipjan, Gjakovë dhe në Prizren me Parkun e Trajnimit dhe Inovacionit.

Ndërsa kryeministri ka bërë edhe disa krahasime mes diasporës së Kosovë me diasporën turke dhe atë irlandeze.

Diaspora kosovare është e ngjashme me diasporën turke në Gjermani dhe me diasporën irlandeze në Amerikë ka thënë Kurti.

“Ky është viti i parë kur në kanalet zyrtare, diaspora jonë do të dërgoj mbi 1 miliard euro, pa përfshirë këtu paratë kesh që i sjellin me vete”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai tutje tha se remitancat e diasporës në Kosovë janë mbi 20 për qind të bruto produktit vendor.

“Ndoshta diaspora irlandeze e turke sjellin më shumë para në vendlindje, por nuk besoj në këtë raport me bruto produktin vendor e buxhetin e shtetit”, ka thënë kryeministri, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore