Lajme

Kurti: Jemi të përkushtuar të zbatojmë reformat që përmirësojnë mjedisin e biznesit


Kryeministri i Kosoves, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e organizuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Banka Qendrore e Kosovës për Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka shprehur mirënjohje për këto dy institucione, dhe ka thënë se qeveria që ai e udhëheqë është e përkushtuar që të zbatojë reforma me qëllim që të përmirësohet mjedisi i bizneseve.

Kurti ka theksuar se vitet e fundit Kosova ka bërë përparime “të rëndësishme në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë zhvillimin e infrastrukturës, arsimin dhe kujdesin shëndetësor”.

Megjithatë, ai tha se “jemi të vetëdijshëm se ka ende shumë punë për të bërë”, duke shtuar se mbeten të përkushtuar për “rritjen e qëndrueshme ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe çrrënjosjen e varfërisë, si shtytësit kryesorë për arritjen e qëllimeve afatgjata”.

“Jemi të përkushtuar për zbatimin e reformave që do të përmirësojnë mjedisin tonë të biznesit, do të tërheqin investime të huaja dhe do të nxisin inovacionin. Qeveria jonë është e vendosur të sigurojë transparencë, llogaridhënie dhe qeverisje të mirë në të gjithë sektorët”, ka pohuar Kurti, njofton zyra e kryeministrit.

“Duke vepruar kështu, ne synojmë të krijojmë një mjedis që promovon rritjen e sektorit privat, përmirëson kushtet për ndërmarrësi dhe nxitë një ekosistem ku idetë mund të lulëzojnë”, potencoi ai, duke shtuar se Kosova “është e përkushtuar për të përqafuar burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe dekarbonizimin”.

Tutje, kreu i ekzekutivit ka pohuar se ‘është nder dhe privilegj të mirëpresë në këtë mbrëmje përfaqësuesit nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, prezenca e të cilëve simbolizon angazhimin dhe bashkëpunimin mes vendeve dhe me institucione me famë si Grupi i Bankës Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar”.

Ai tha se ky organizim i sotëm është jo vetëm për të festuar “qëllimet dhe aspiratat e përbashkëta, por edhe për të krijuar lidhje më të forta që do të nxisin zhvillimin dhe përparimin e qëndrueshëm”.

“Më lejoni të shpreh mirënjohjen time për Grupin e Bankës Botërore dhe FMN-në për mbështetjen e tyre të çmuar në rrugëtimin e Kosovës drejt stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik. Ne e njohim rolin kritik që luajnë këto institucione në ofrimin e ekspertizës teknike, asistencës financiare dhe këshillave për politikat për vendet që përpiqen për përparim socio-ekonomik, si dhe përparimin shumë të prekshëm që rezulton nga kjo punë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore