Lajme

Kurti ia shpreh shqetësimin shefit të OSBE-së për kërcënimet nga Beogradi ndaj policëve të komunitetit serb


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, të cilit ia ka shprehur shqetësimin për kërcënimet nga Beogradi ndaj policëve të komunitetit serb.

Takimi është bërë i ditur përmes një komunikate për media.

“Në lidhje me këtë, Kryeministri Kurti shprehu shqetësimin e tij në lidhje më kërcënimet dhe frikësimet nga Beogradi dhe strukturat ilegale ndaj policëve të rinj nga komuniteti serb të angazhuar së fundmi në Policinë e Kosovës”.

Kurti dhe Davenport, kanë diskutuar edhe për procesin e zgjedhjeve të parakohshme në Veri.

“Ndër të tjerash, diskutuan për procesin e zgjedhjeve të parakohshme në komunat në veri të Kosovës, me ç’rast Kryeministri shprehu falënderimin e tij për mbështetjen e OSBE-së në adresimin e legjislacionit sekondar në lidhje me nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale”.

Më 25 korrik nisën punën 72 policë të rinj nga komunitetet joshumicë, përfshirë 45 nga komuniteti serb, pas konkursit të shpallur nga Policia e Kosovës në fillim të muajit. Insitutucionet e Kosovës dhe faktori ndërkombëtar e kanë cilësuar si të papranueshëm çdo lloj kërcënimi apo frikësimi ndaj tyre.

Mbi 550 pjesëtarë të komunitetit serb në Policinë së Kosovës kanë zhveshur uniformat e tyre që nga viti i kaluar, në shenjë proteste kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar automjetet e tyre nga targat ilegale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë në ato të Kosovës.
Pas emërimit të policëve të rinjë nga komuniteti serb, shtatë prej tyre kishin dhënë dorëheqje.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, të martën përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka njoftuar se Ministria të cilën ai e drejton ka përfunduar hartimin e Udhëzimit Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve që do t’u hapte rrugë zgjedhjeve të reja në katër komunat në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore