Kosova

Kurti i zhgënjyer me BE-në, e refuzon sërish Schengen-in Rajonal


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në “Forumin e Prespës për Dialog”, është treguar kritik ndaj Bashkimit Evropian (BE), për mosliberalizimin e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës.

Gjatë fjalës së tij, ai ka theksuar se ndan zhgënjimin me vendet fqinje për BE-në.

“Republika e Kosovës e ndan zhgënjimin me vendimin e BE-së për moshapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ky është mesazh dekurajues për rajonin tonë”.

Megjithatë, ka thënë ai, duhet të tregohet durim, duke këshilluar të mos merren hapa të shpejtë që nuk u shërbejnë interesave.

“Si vend që na është mohuar liberalizimi i vizave e kuptojmë zhgënjimin tuaj, por duhet të kemi durim dhe mos të marrim hapa të shpejtë që nuk u shërbejnë interesave, as të shteteve tona, as qytetarëve, por BE është e ngadaltë dhe i mungon uniteti”.

Por, tha ai, “BE është shpresa jonë më e mirë dhe është alternativa e vetme që e kemi, jo vetëm për atë që nuk kemi zgjidhje tjetër, por natyrisht që i takojmë këtij rajoni”.

Sipas Kurtit, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë të ardhme të përbashkët.

“Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Evropës, e rrethuar me vende të BE-së, kemi histori të përbashkët, kemi luftuar në luftëra të njëjta, ekonomitë tona janë të lidhura. Në vend që të vazhdojmë të ndihemi të frustuar nga ana e BE-së, duhet të pyesim vetën se çfarë ardhmërie dëshirojmë”, tha Kurti.

Kurti ka qenë kritik edhe për idenë e Schengen-it Ballkanik, për të cilën ka vlerësuar se i mungon vizioni për rajonin, ndaj Kosova nuk e pranon.

“Edhe ideja e Novi Sadit për ‘Mini-Schengenin’, një iniciativë që nuk ka vizion për rajonin, dhe që Republika e Kosovës e refuzon ashpër. Pakënaqësia me BE-në nuk duhet të instrumentalizohet nga vendet që nuk e duan NATO-n dhe që e favorizojnë Rusinë”, ka deklaruar Kurti.

Ndërkaq, sa i përket dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe çështjeve tjera me rëndësi për rajonin, ai ka ripërsëritur qëndrimin se duhet përfshirja e NATO-s dhe Bashkimit Evropian në mënyrë që të minimizohen ndërhyrjet tjera.

“Krejt kjo mund të arrihet nëpërmjet bashkëpunimit të afërt ndërmjet Bashkimit Evropian dhe SHBA-së dhe në këtë drejtim duhet të ekzistojë sinkronizimi i plotë në mes Brukselit dhe Uashingtonit dhe të mos mbetet asnjë hapësirë as për Piknin as Moskës që ta shfrytëzojnë këtë situatë”, e përmbylli fjalimin Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore