Kosova

Kurti e paraqiti si alarm dhe rrezik të madh, por në stërvitjet ushtarake të Serbisë mysafir ishte edhe vetë komandanti i KFOR-it


Ilustrim: Ozkan Ulutas dhe Albin Kurti

Ndonëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten, stërvitjet ushtarake të Serbisë, të quajtura “Vihor 2024”, i cilësoi si kërcënim për sigurinë e Kosovës dhe të rajonit, në këto ushtrime luftarake 30 kilometra larg kufirit me Kosovën mori pjesë edhe komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Ozkan Ulutas.

Ani pse KFOR-i është garantuesi kryesor i sigurisë në Kosovë dhe “gardiani” i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë, Kurti, të premten, u përpjekë t’i paraqesë këto ushtrime luftarake si një kërcënim real për Kosovën duke mbajtur lartë mundësinë e një sulmi nga Serbia.

“Ata sot do të bëjnë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë dhe vendi ku do të bëhen këto ushtrime, përveç se është 30 kilometra larg kufirit të Kosovës, është vetëm 3 kilometra larg kufirit të Serbisë me Malin e Zi. Kjo është edhe një dëshmi që Serbia është autoriteti, instanca, faktori e aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe paraqet kërcënim edhe për Republikën tonë, që ata nuk e njohin, por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve në rajonin tonë”, tha Kurti.

Ushtrimet ushtarake në Serbi

Arsyet se pse Kurti flet gjithmonë për mundësinë e një pushtimi nga Serbia nuk janë të qarta, por ajo çfarë dihet është fakti se tensionet dhe diskursi i luftës sjellë pika politike në favor të tij.

Më 19 prill, Forcat e Armatosura Serbe mbajnë stërvitjet vjetore në poligonin Peshter. Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se shefi i këtij misioni, gjeneralmajori, Ozkan Ulutas, do të vëzhgojë stërvitjet në Serbi, për të cilat Beogradi ka njoftuar KFOR-in për përgatitjet për mbajtjen e tyre.

Sa i përket pjesëmarrjes të shefit të KFOR-it në këto stërvitjeve në Serbi, zëdhënësi i KFOR-it, tha se pjesëmarrja e Ulutas “reflekton raportin efektiv që KFOR-i dhe Forcat e Armatosura Serbe kanë zhvilluar përgjatë viteve”, përfshirë edhe përmes kontakteve të rregullta që kanë me shefin e ushtrisë serbe, “por edhe përmes vëzhgimeve në të kaluarën që KFOR-i u ka bërë stërvitjeve të Forcave të Armatosura Serbe”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore