Lajme

Kurti: Gjatë kohës sime si kryeministër s’ka pasur parulla “duam punë”, punësimi është rritur me masat tona


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gjatë kohës sa ai është në krye të ekzekutivit kosovar nuk ka pasur asnjë protestë ku qytetarët kërkojnë punë, duke konsideruar se papunësia është zvogëluar për shkak të masave që qeveria tij i ka marrë në këtë drejtim.

“Vëreni një dallim me 3 apo 5 vite, ma gjeni një protestë me mua si kryeministër ku e keni parullën ‘duam punë’, duam ‘paga më të larta’ po, ‘duam kushte më të mira’ po, por protesta ku e keni parullën ‘duam punë’ më nuk ka”, ka thënë Kurti në një intervistë për televizionin publik.

“Në vitet e kaluara çdo e dyta protestë e ka pasur së paku një parullë ‘duam punë’, punësimi është rritur me masat tona”, shtoi.

I pyetur se ka ikje të qytetarëve nga Kosova, Kurti theksoi se edhe më herët kanë dalur, por përsëri kanë kërkuar punë.

“Edhe përpara kanë dalur, më shumë kanë dalë përpara dhe thonin ‘duam punë’. Ikja më e madhe është në dimrin 2014-2015, atëherë kur u shkatërrua VLAN-i, dhe u bë qeveria LDK-PDK, por kanë vazhduar ‘duam punë’”, pohoi.

Qeveria Kurti gjatë mandatit të saj është shquar për mungesë të theksuar të investimeve kapitale, lidhur me këtë kryeministri potencoi se kjo po ndodh pasi që ekzekutivi i tij fillimisht po bëjnë plan dhe pastaj zbatim.

“Janë përfunduar mbi 75 për qind e punimeve ne autostradën e Gjilanit, mbi 200 milionë euro për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10-të… dhe është zvogëluar borxhi në shpronësime për 82 milionë euro”, potencoi.

“Çfarë po bëjmë ne? Ne po bëjmë plan dhe përgatitje dhe pastaj zbatim. Çfarë kanë bërë ata zbatim pa plan, pa përgatitje dhe në fund janë bllokuar në shpronësime”, shtoi.

Ai deklaroi se janë gjithsejtë 555 milionë euro investime kapitale në vitin 2023, vit, sipas tij, “historik për nga lartësia e shumës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore