Lajme

Kurti e Vuçiç do të përballen në të njëjtin panel në Davos


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Tryeza e quajtur “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor” e cila do të mbahet në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, do të bëjë bashkë Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Të dy do të përballen në këtë tryezë si pjesë e panelit i cili do të fillojë këtë të mërkurë nga ora 7:30.

Në agjendën e publikuar nga Banka Evropiane për Investime, bëhet e ditur se në takim do të jetë e pranishme edhe nënkryetarja e këtij institucioni, Gelsomina Vigliotti.

Pjesëmarrjen e këtyre dy politikanëve në këtë panel e kanë konfirmuar zyret për medie nga dy qeveritë e dy vendeve.

Por, as njëra e as tjetra nuk kanë treguar se në cilën ditë e orë mbahet diskutimi që i bën bashkë liderin kosovar me atë serb.

Kurti po qëndron për vizitë zyrtare në Zvicër që nga dita e hënë.

Në këtë vend, shefi i ekzekutivit kosovar do të takohet me përfaqësues të kompanive të ndryshme dhe liderë politikë, po ashtu do të zhvillojë takime me mërgatën.

Ndryshe takimi i fundit – ndonëse joformal – në mes të Kurtit dhe Vuçiç, daton më 4 maj, kur dy liderët shtetërorë pas takimeve të ndara që patën me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, darkuan në pallatin Borsig në Gjermani, në prezencën e të dërguarit special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

“Gjatë takimit, Kryeministri Kurti ritheksoi qëndrimin për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, duke pasur në qendër njohjen reciproke”, thuhej në njoftimin e zyrës për media të Kurtit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore