Shqipëria

Kurti e quan “historike”, hapjen e korridoreve ajrore me Shqipërinë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Historike”, është vlerësuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, hapja e korridoreve ajrore me Shqipërinë, në një ceremoni të organizuar nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), të mërkurën.

Sipas tij, kjo e rrit mundësinë për çmime të përballueshme të biletave dhe mbrohet ambienti më mirë.

“Shkurtohet koha e fluturimeve për tetë deri në 12 minuta. Është arritje historike”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, deklaroi se hapja e korridoreve të reja ajrore do të ndikime të shumëfishta.

“Ka rëndësi të veçantë sepse do të ketë më pak djegie të kerozinës, më pak lirim të CO2-shit, më pak ndotje të ambientit”, ka deklaruar Aliu.

Më 5 janar, ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, ka bërë të ditur se janë hapur korridoret ajrore me Shqipërinë.

“Tashmë kemi hapur zyrtarisht korridoret ajrore me Republikën e Shqipërisë, synim ky i kamotshëm që shënon një arritje tejet të rëndësishme në fushën diplomatike të dy shteteve tona”.

Aliu, ka thënë se fluturimet drejt vendeve të Perëndimit do të shkurtohen për gati 15 minuta.

“Fluturimet në drejtim të perëndimit dhe ato reciproke janë shkurtuar dukshëm, e përveç se po udhëtojmë lirshëm pa viza në zonën schengen, tani qytetarët tanë po përfitojnë substancialisht edhe nga optimizmin i kohës në udhëtime”, ka shkruar ai.

Që nga paslufta, më 1999, fluturimet nga dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë realizuar vetëm përmes korridorit ajror që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të këtij vendi, është arritur në vitin 2020.

Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), i cili menaxhon hapësirën e ulët ajrore të vendit, marrëveshja nuk ishte zbatuar më herët për shkak të disa procedurave teknike që është dashur të miratohen nga Shqipëria dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore