Lajme

Kurti e Kovaçevski shkëmbejnë mendime për dialogun


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka njoftuar se është takuar me homologun e tij nga Kosova, Albin Kurtin në Vjenë, ku dy kryeministrat po marrin pjesë në edicionin e 20-të të Forumit Ekonomik të Vjenës në Austri.

“Kemi shkëmbyer mendime për situatën në rajon dhe dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Çelësi i progresit të Ballkanit Perëndimor është zgjidhja paqësore e çështjeve të hapura rajonale, si dhe intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve, i cili do të kontribuojë në stabilitetin e të gjithë rajonit”, ka shkruar në Facebook Kovaçevski.

Ai ka theksuar se me Kurtin ka biseduar edhe për mundësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

“Në takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, biseduam për bashkëpunimin tonë, i cili është gjithëpërfshirës dhe në rritje. Në fokus e kemi vënë në bashkëpunimin ekonomik dhe atë energjetik”, shtoi ai.

Ndërsa në njoftimin e Qeverise së Kosovës për media thuhet se Kurti theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit si në planin bilateral ashtu edhe atë rajonal në fusha me interes të ndërsjellë, me qëllim avancimin e mëtejmë të fqinjësisë së mirë, dhe në shërbim të qytetarëve të të dyja vendeve.

“U bisedua edhe për zhvillimet e fundit në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe takimin e 21 tetorit me liderët evropianë, me ç’rast kryeministri Kurti e njoftoi homologun e tij mbi qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës se nënshkrimi i marrëveshjeve do të nënkuptonte pranim, e për rrjedhojë edhe garanci për zbatim të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Zbatues”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore