Lajme

Kurti diskuton me shefin e OSBE-së për Referendumin e Serbisë


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në takim me shefin e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur të shtunën e 21 janarit në takim shefin e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport, së bashku me Therese Abrahamsen, Zëvendës Shefe, Zyra për Çështje Politike dhe Komunikim.

Kryeministri Kurti ka falënderuar ambasadorin Davenport për komunikimin e vazhdueshëm, përfshirë edhe rreth situatës me rastin e referendumit kushtetues të Serbisë të mbajtur me 16 janar.

Zyra e kryeministrit të Kosovës ka njoftuar se temë e diskutimit në takim ishin të drejtat e pakicave, sundimi i ligjit, e çështjet e sigurisë dhe qeverisja e mirë.

Gjithashtu thuhet se në takim është adresuar edhe zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve Zyrtare dhe mbështetja për Zyrën e Komisionerit për Gjuhët si dhe gatishmëria e OSBE-së për të ndihmuar Zyrën e Kryeministrit dhe Qeverinë në fushat me interes të përbashkët.

Të dielën e 16 janarit Serbia ka mbajtur një referendum për disa ndryshime në sistemin gjyqësor.

Referendumi serb ishte planifikuar të mbahej edhe në territorin e Republikës së Kosovës, që serbët të cilët kanë shtetësi të dyfishtë të mund të votonin.

Qeveria e Kosovës, kishte thënë se qytetarët serb me shtetësi edhe të Serbisë të cilët jetojnë në Kosovë mund të votojnë përmes postës ose në Zyrën ndërlidhëse serbe në Prishtinë, gjë që ishte kundërshtuar nga an e Serbisë.

Serbia kishte bërë kërkesë në Bashkimin Evropian por edhe te vendet e QUINT-it që Kosova të mundëson mbajtjen e referendumit në territorin e saj.

Ambasadorët e vendeve të QUINT-it ishte pro mbajtjes së referendumit në Kosovë, dhe për këtë kishin zhvilluar një takim të përbashkët me Presidenten, Vjosa Osmani, Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti, por nuk kishin arritur të gjejnë një dakordancë.

Të shtunën e 15 janarit Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një rezolutë  për ndalimin e mbajtjes së referendumit serb, me 76 vota pro e një abstenim.

Institucionet e sigurisë kishin ndërmarr masa që të pamundësojnë mbajtjen e një referendumi ilegal, me anë të Njësive Speciale të Policisë, të cilat ishin pozicionuar në disa komuna me shumicë serbe, kryesisht në Veri të vendit.

E diela e 16 janarit në Kosovë nuk kishte shënuar ndonjë incident.

Ndërsa, një pjesë e serbëve nga Kosova kanë udhëtuar nëpër qytete të ndryshme të Serbisë në mënyrë që të kenë mundësinë e votës në këtë referendum.

 

OSBE refuzon të mbajë Referendumin e Serbisë në Kosovë – “s’u pajtuan të gjitha palët”

Në një deklaratë zyrtare të Misionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) thuhet se ky mision nuk i ka marrë materialet zgjedhore dhe fletvotimet për Referendum të Serbisë brenda territorit të Kosovës për arsye se nuk ka konsensus politik brenda të gjitha partive kosovare për lejimin e mbajtjes së këtij votimi.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë po i përcjell për së afërmi zhvillimet në lidhje me referendumin e Serbisë. OSBE ishte e gatshme t’i mbledhte fletëvotimet në pajtim me precedentët e kaluar dhe me pajtimin e të gjitha institucioneve relevante, dhe ka ofruar një gjë tillë”, transmeton Euronews Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore