Lajme

Referendumi serb nuk bën të mbahet në Kosovë – institucionet nuk ndryshojnë qëndrim as pas takimit me ambasadorët e QUINT-it


Glauk Konjufca, Vjosa Osmani, Albin Kurti

Me anë të një deklarate të përbashkët për media pas takimit me ambasadorët e QUINT-it, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, kanë falënderuar miqtë ndërkombëtarë për kontributin në rrugëtimin e Kosovës, por kanë mbrojtur qëndrimin që referendumi serb nuk bën të mbahet në Kosovë, ashtu siç paradite kërkuan ata.

“Hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare”, thuhet në argumentimin e përbashkët të tre liderëve të shtetit.

Sipas njoftimit të publikuar, ky është një deklarim i përbahkët dhe një qëndrim i koordinuar “lidhur me mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës”.

Madje, një akt i tillë “është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës”.

“Institucionet i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, meqë pavarësia e shtetit tonë jo vetëm që është njohur nga shumica e vendeve demokratike anekënd botës, por edhe është vulosur nga GJND-ja”.

Foto brenda takimit te tre lidereve te Kosoves me ambasadoret e QUINT-it

Tre liderët, shkruajnë se ua kanë bërë të qartë ambasadorëve se “çështja nuk është roli i OSBE-së”, institucion që pritej të organizonte referendumin në Kosovë, “por roli i Serbisë dhe strukturave të saj paralele e ilegale në Kosovë”.

“Sepse, para se OSBE-ja të bënte mbledhjen e votave, do të mbahej një proces tërësisht ilegal i hapjes së qendrave të votimit e kutive të votimit në territorin e Republikës së Kosovës për një referendum të një shteti tjetër, pra Serbisë, e ky proces do të organizohej nga strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë”.

Si dëshmimi, Osmani, Kurti e Konjufca, thonë se është vetë letra e dërguar OSBE-së nga ana e autoriteteve serbe.

“Arsyeja pse Serbia insiston t`i hapë vendvotimet edhe në Kosovë është sepse e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj”.

“Prandaj edhe dëshiron ta shfrytëzojë referendumin si mjet të shtrimit të sovranitetit të saj mbi Kosovën. Rrjedhimisht, qëndrimi i institucioneve të Kosovës nuk ka fare të bëjë me OSBE-në, por me kundërshtimin e kësaj tendence të vazhdueshme të Serbisë, e cila dëshmon pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës”.

“Duke qenë kështu, institucionet e Kosovës i bëjnë thirrje të gjitha shteteve demokratike që ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për t`i ndalur veprimet e vazhdueshme të Serbisë që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës”.

Në deklarimin e përbashkët është thënë gjithashtu se çfarë po do të bëjë Serbia është “praktikë që po e ndjekë modelin rus” dhe se tendenca këtu është “për destabilizim të shpejtë të rajonit tonë dhe zhbërjen e sukseseve që Kosova dhe rajoni i kanë arritur në partneritet me vendet mike demokratike”.

“Mosmbajtja e referendumit serb në territorin sovran të Republikës së Kosovës është hap i duhur në betejën tonë të përbashkët kundër autokracive dhe avansim i praktikave demokratike, përkushtim të cilin Kosova e ka dhënë së fundi edhe në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, përfundon deklarimi i përbashkët”.

Edhe partitë opozitare në Kosovë, madje para se Qeveria, Presidenca e Kryeparlamentari, të dilnin me këtë deklarim, kanë thënë se janë kundër mbajtjes së referendumit, meqë përbën shkelje të sovranitetit.

Megjithatë, ishin ambasadorët e QUINT-it që kërkuan të lejohet votimi i serbëve të Kosovës në referendumin e 16 janarit dhe votat të mblidhen nga OSBE-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore