Lajme

Kurti dikur: “Greqia e sheh Shqipërinë të ndarë, njëjtë si Serbia – janë fqinjë grabitqarë”


Albin Kurti ne Greqi

Albin Kurti prejse ka marrë pozitën e kryeministrit të Kosovës nuk ka vizituar ndonjë shtet më shpesh sesa Greqinë.

Vizita e fundit ishte këtë javë, ku mori pjesë në një darkë jo formale me liderë të Ballkanit e të Bashkimit Evropian, i ftuar për të festuar 20 vjetorin e Samitit të Selanikut.

Tashmë shtet i preferuar për vizitë, Kurti dikur e konsideronte Greqinë për shqiptarët njëjtë si Serbinë.

Në vitin 2012, si pjesëmarrës në një marshim të paqes në Qafë-Botë, linjë kufitare me Greqinë, Kurti iu pati thënë qytetarëve se “Greqia e sheh Shqipërinë të ndarë, po kështu e sheh edhe Serbia”.

Ai artikulonte se si Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkohen si kushti i vetëm “për ndaljen e hegjemonizmit të dy fqinjëve grabitqarë”.

“Duhet të formojë një ekonomi të fortë për të punësuar të rinjtë dhe një ushtri të fuqishme, e cila do të ndalë sulmet e fqinjëve grabitqarë”, deklaronte Kurti.

“Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit, rroftë Çamëria, rroftë kombi shqiptar”, ishin fjalët e fundit të Kurtit në tubim.

Kurti të martën është takuar me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.

S’bëhet fjalë, çështja e çamëve nuk është përmendur në takim.

Kurti e ka ftuar për vizitë Mitsotakis-in në Kosovë dhe gjithashtu ka ftuar bizneset greke të investojnë në Kosovë.

Ai i ka tregtuar homologut grek se prejse ka ardhur në pushtet, shkëmbimi tregtar me Greqinë është rritur për mbi 40 për qind, dhe kjo vetëm në vitin e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore