Kosova

Kurti: Desha ta shkruaj vetë statutin e Asociacionit po s’më lanë


Kryeministri i Kosoves, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur këtë të marte se ka qenë i gatshëm që vetë ta shkruajë draft-statusin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, mirëpo, një gjë e tillë nuk i është pranuar nga ndërmjetësit e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë ne takimin e Ohrit në Maqedoni të Veriut, i mbajtur me 18 mars.

“Në takimin e Ohrit kam pranuar që draft-statutin ta shkruaj unë por me ato tri shtyllat parimore që duhet pranuar parimisht. Një gjë e tillë u refuzua dhe mua mu tha nga ndërmjetësit që këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues si pasojë e marrëveshjeve të mëhershme në dialogun e Brukselit para një dekade.

Ndërkaq, kreu i ekzekutivit kosovar tha se “tash i përket ndërmjetësit që ta përcaktojë agjendën e takimit të datës 2 maj”, në mes të Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndërsa shtoi se “unë do ta takoj në një konferencë ndërmjetësin (Miroslav) Lajçak”.

“Nuk ka anëtar të grupit punues nga ana jonë. Unë e kam zëvendësin tim i cili në portofolin e tij është përgjegjës për integrimet evropiane”, tha ai.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e kishte konfirmuar se ekipin për hartimin e draft-statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe do ta udhëheqë, Danijela Vujiçiç, deputete në parlamentin serb, njëherësh anëtare e partisë së presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Pjesë e ekipit për hartimin e draft-statutit për Asociacionin nga Kosova do të jetë ambasadori kosovar në Bruksel, Agon Bajrami.

Bislimi e konfirmon: Përgjegjëse për hartimin e draftit për Asociacionin është anëtarja e partisë së Vuçiç-it

Ndryshe, më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht.

Në fakt, kryeministri Albin Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar. Kurti dhe Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore