Lajme

Kurti dënon sërish sulmet ndaj gazetarëve: Ftojmë institucionet dhe diplomatët ndërkombëtarë të mbajnë qëndrim


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar përsëri për sulmet e gazetarëve në Veri të Kosovës, ku i ka bërë thirrje diplomatëve ndërkombëtarë që të mbajnë qëndrim, si dhe të mbështesin institucionet e Kosovës për t’i sjellë para drejtësisë ata që kanë kryer këto akte.

“Grupe ekstremistësh të kontrolluara nga Beogradi nuk e durojnë dot as policinë e as gazetarët. Policia e Kosovës i shërben drejtësisë dhe ligjit, gazetaria e Kosovës i shërben demokracisë dhe transparencës”, shkroi Kurti në Facebook.

Ndërkaq, ai theksoi se “sot në Komunën e Leposaviqit nga bandat kriminale janë sulmuar gazetarët që ishin të pranishëm gjatë përpjekjeve të disa individëve për të shkaktuar trazira e dhunë”.

“Kameramani Bardh Bekteshi dhe gazetarja Dorentina Thaqi, kanë pësuar lëndime në kokë dhe trup. Kameramanët tjerë, Albin Rrahmani dhe Ardijan Shala kanë pësuar lëndime në trup. Në këmbë janë lënduar gazetaret, Laura Kerolli e Qendresa Sinani, kurse në krah ka marrë lëndime gazetari Pleurat Salihu”, pohoi ai.

Kryeministri i uroi shërim të shpejtë kameramanëve dhe gazetarëve, dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të reagojnë.

“Ftojmë institucionet dhe diplomatët ndërkombëtarë të mbajnë qëndrim, dhe të mbështesin institucionet e Kosovës që të sjellin para drejtësisë të gjithë sulmuesit e Policisë së Kosovës, KFOR-it e sidomos gazetarëve”, përfundoi ai.

Ndryshe, këtë të premte janë sulmuar disa gazetarë në Veri të Kosovës nga protestuesit e dhunshëm serbë. Ata i kanë sulmuar gazetarët me gurë, si dhe i kanë sulmuar fizikisht.

Në komunën e Leposaviqit është sulmuar fizikisht kameramani i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Bardh Bekteshi, i cili ka pësuar lëndime të rënda edhe në kokë edhe në trup, por përveç kësaj atij i është thyer edhe kamera.

Për këtë ka reaguar ashpër edhe Asociacioni i Gazetarëve i Kosovës.

“Ekipet mediale nga Prishtina kanë qenë sot cak i një sulmi brutal derisa po kryenin punën e tyre në Leposaviq. Kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, është sulmuar fizikisht siç shihet në videon shqetësuese të dërguar në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, nga ekipet në terren”.

“Përveç sulmit fizik, Bekteshit i është thyer edhe kamera e xhirimit”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

Ndërsa, në një deklaratë për AGK-në, gazetarja Venera Xhoxhaj, ka treguar se protestuesit i kanë gjuajtur me gurë ekipet e mediave, Tëvë1, RTV Dukagjini, RTK, Klan Kosova dhe KTV.

“Na kanë gjuajtur me gurë, disa kolegë derisa kanë qenë duke u larguar, janë rrëzuar, dhe kameramanit tonë, Bardh Bekteshi, e kanë shtyrë duke e rrëzuar pastaj edhe  sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe trup”.

Nga AGK-ja i është bërë thirrje urgjente Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në këtë komunë, që t’u ofrojnë siguri gazetarëve dhe kameramanëve të cilët janë duke qëndruar në atë komunë.

Teksa e kanë dënuar ashpër këtë sulm duke thënë se për të gjitha këto sulme që kanë ndodhur në veri të vendit, do të informohen organizatat ndërkombëtare që merren me sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias.

Për dallim nga situata e dhjetorit kur ishin vendosur barrikada në Veri për 17 ditë e ku u sulmuan 13 punëtorë të medias, gjendja e ditëve të fundit tregon edhe për një realitet akoma më të ashpër për raportimin e gazetarëve nga Veriu.

Për vetëm katër ditë në këtë pjesë u shënuan 20 sulme ndaj mediave sërish nga persona të maskuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore