Lajme

Kurti befason për mediumin ndërkombëtar: Unë as që e kam ditur se do ketë rregullore për dinarin


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndonëse nëpër organet e partisë dhe para qytetarëve e ka paraqitur si “sukses” të qeverisë së tij ndalimin e dinarit serb për pagesa në territorin e Kosovës, ka thënë – çuditërisht – se nuk ka qenë fare në dijeni të këtij vendimi që është marrë nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

Këto komente, Kurti i ka bërë në një intervistë për radion “Monocle”, që është regjistruar në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, që u mbajt javën e kaluar, derisa ka shtuar se kritikat e aleatëve filluan pas kundërshtimit që i bëri presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, këtij vendimi.

“Më 27 dhjetor të vitit të kaluar Banka Qendrore e Kosovës ka marrë vendim për këtë rregullore të re, për t’i luftuar aktivitetet e paligjshme… dhe bënë mirë. Nuk kisha ide se do ta sjellin këtë vendim, apo se do ta hartojnë këtë rregullore (për ndalimin e dinarit)”, tha fillimisht Kurti.

“Gjithsesi, gjithçka po shkonte mirë me përgatitjet. Në mes të janarit, pikërisht sepse përgatitjet po shkonin mirë, Vuçiç alarmoi rajonin dhe Evropën se katastrofa do të ndodhë prej 1 shkurtit se dinari do të ndalohet, atëherë filloi presioni ndaj meje, jo fillimisht, vetëm kur foli Vuçiç”, shtoi kryeministri.

Ai ka bërë me dije se qytetarët serbë mund të mbajnë dinarë, por jo të paguajnë me të, pasi që, duke u referuar në Kushtetutë, tha se valuta e vetme në Kosovë është euro.

Kurti shpjegoi se vendimi i BQK-së ka për qëllim ndalimin e aktiviteteve të paligjshme, dhe tregoi se nëse Serbia dëshiron të dërgojë para për serbët në Kosovë, atë mund ta bëjë përmes bankave komerciale që janë në vend.

“Nëse ata dëshirojnë që të dërgojnë para për edukimin, shëndetësinë, nëse dojnë… dhe ne do të pranojmë, duhet që të bëhet përmes bankave, 10 bankave komerciale në Kosovë, në ndonjërën prej tyre”, shtoi.

Kreu i ekzekutivit vlerësoi se qeveria që ai drejton ka bërë më së shumti për komunitetin serb në Kosovë.

“Patjetër që duam t’i ndihmojmë serbët. Asnjë qeveri, që nga koha kur ne e kemi shpallur pavarësinë, nuk u ka ndihmuar serbëve më shumë se ne. Ne i kemi distribuuar miliona euro tek OJQ-të, start-up’et, bujqve dhe gjithashtu atyre që kanë dashur që të kthehen në Kosovë, duke ia rinovuar shtëpitë e tyre ose duke ia ndërtuar”.

“Ministri Nenad Rashiç ka bërë shumë më shumë se paraardhësit e tij. Nga ana tjetër, kemi hapur departamentit për Ballkanistikë në Fakultetin e Filologjisë, kështu që gjenerata të reja të shqiptarëve mësojnë serbisht, boshnjakisht, kroatisht”, shtoi.

Në prizmin e kryeministrit, kritikat ndaj qeverisë së tij sa i përket vendimeve që afektojnë komunitetin serb në Kosovë, janë “për shkak se jemi të suksesshëm, jo pse po dështojmë në integrimin e serbëve”.

Tutje, ai ka folur edhe për deklaratat e zyrtarëve serbë, të cilët pretendojnë se do ta “marrin përsëri Kosovën”, ku e ka cituar presidentin serb, në një fjalim të tij në fund të vitit të kaluar

“Në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti serb Vuçiç, iu referua deklaratës të… se di e kujt ishte e babait apo djalit të presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ku thotë se kemi pritur 27 vjet për të marrë atë që donim (Nagorno-Karabakun), dhe ai ishte duke iu referuar Aliyvevit dhe relacioneve të tij me Kosovën duke thënë se ne gjithashtu do të kemi një mundësi historike për të marrë përsëri Kosovën”, shtoi.

Po ashtu, Kurti ka folur edhe për Marrëveshjen Bazike (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars), ku ka insistuar përsëri në nënshkrimin e saj, derisa ka kërkuar që të tërhiqet letra e kryeministres serbe, Ana Brnabiç, drejtuar Bashkimit Evropian, ku bënë me dije se Serbia nuk do ta zbatojë në plotni marrëveshjen në fjalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore