Lajme

Kurti: Arsimi – burim i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës


Takimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci

“Arsimi është burim i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës, prandaj rritja e cilësisë në arsim është synim kryesor për Qeverinë”.

Kështu është thënë në takimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila e ka njoftuar Kurtin edhe për përgatitjet për fillimin e vitit shkollor në arsimin e përgjithshëm parauniversitar.

Për të mundësuar fillimin e vitit të ri shkollor me prani fizike, në këtë takim u theksua “domosdoshmëria e vaksinimit të mësimdhënësve dhe respektimi i masave anti-COVID-19”.

Në njoftimin nga zyra për komunikim publik e kryeministrit thuhet se “ofrimi i mundësive të barabarta dhe gjithëpërfshirje në arsim për fëmijët nga grupet e margjinalizuara, vazhdon të ketë vëmendje të veçantë. Në këtë drejtim, MASHTI këtë vit ka ndarë 200 mijë euro grante për financimin e qendrave burimore”.

Ndërkaq Kryeministri Kurti ritheksoi se arsimi dhe aftësimi profesional në qeverisjen e tij ka trajtim prioritar, pasi siç tha, mban çelësin e progresit teknologjik dhe industrializimit si dhe shtimit të vendeve të punës.

“Qeveria do të angazhohet në optimizimin e kualifikimeve të ofruara nga Arsimi dhe Aftësimi Profesional, bazuar në nevojat lokale të industrisë për të plotësuar hendekun ekzistues të shkathtësive. Një shembull i kësaj domosdoshmërie na shfaqet edhe në Korporatën Energjetike të Kosovës, ku ka mungesë të inxhinierëve të energjetikës”, thuhet në njoftim.

“Për këtë, është bërë verifikimi i 82 kurrikulave të rishikuara me kërkesat e tregut të punës dhe me shoqatat sektoriale, në mënyrë që në vitin shkollor 2022/2023 të fillohet me zbatimin e kurrikulave të rishikuara”, vijon njoftimi.

Po ashtu, sipas kësaj komunikate thuhet se ka filluar zhvillimi i konceptit dhe përgatitja për zbatim e arsimit dual në sektorë të caktuar me potencial të zhvillimit.

“Gjatë këtij viti, MASHTI do të bëjë një studim fizibiliteti që do të shërbejë si bazë për ristrukturimin e institucioneve përgjegjëse të Arsimit dhe Aftësimit Profesional”.

Ndërkaq, për garantimin e cilësisë në arsimin e lartë MASHTI “po i financon projektet e Agjencisë së Kosovës për Akreditim që do të ndihmojnë kthimin e AKA-së në Asociacionin Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA)”.

“Avancimi i politikave dhe kornizës ligjore në fushën e arsimit, është një nga aspektet në të cilat është fokusuar Qeveria, prandaj aktualisht është duke u punuar në hartimin e Projektligjit për Agjencinë Kosovare të Akreditimit, atë për Arsimin e Lartë, për edukimin e hershëm, për tekste shkollore si dhe një sërë udhëzimesh administrative”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore