Lajme

Kur Kosova shpalli pavarësinë, nacionalistët serbë paralajmëruan defilim në Luginë, por në fund “s’guxuan”


Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi.

Para 15 vjetëve deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, Pavarësinë e Kosovës e kishte pritur si këshilltar në Kuvendin Komunal në Bujanoc.

Se Kosova nga ai moment është shtet i pavarur dhe se asnjëherë tjetër nuk do t’i nënshtrohet regjimit serb dhe ligjeve të tij, Kamberi përveç se e ka vazhdimisht në memorie thotë se e rikujton sa herë që është e nevojshme edhe në Parlamentin e Serbisë.

Pritshmëritë e Kamberit, janë që 15 vjetori i Pavarësisë të jetë më unik pasi që Kosova është në “një fazë dinamike” të arritjes së një marrëveshje të mundshme me Serbinë.

Në rrethanat aktuale ai kërkon që dialogu Kosovë-Serbi të përfundojë me marrëveshje ndërshtetërore si dhe parimet e marrëveshjes së ardhshme të kenë vlerë universale.

Kërkesë tjetër e Kamberit, është që përmes këtyre parimeve të përfshihet më shumë edhe pakica tjetër në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm “pakica hyjnore” e serbëve të Veriut të Kosovës.

Përveç kësaj pret që edhe të drejtat e shqiptarëve në këtë rajon të bëhen pjesë e agjendës së bisedimeve dhe marrëveshjes së ardhshme.

I pakënaqur është me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa si nga Kosova edhe nga Shqipëria kërkon që të shtohet rritja e përkujdesjes institucionale.

Intervista e plotë:

Albanian Post: Zotëri Kamberi, 15 vjet më parë ku ju gjeti shpallja e Pavarësisë së Kosovës juve, nga kush u informuat dhe si e pritet këtë moment historik?

Shaip Kamberi: Isha në Bujanoc, atëherë isha në krye të Organizatës joqeveritare “Këshilli për të drejtat e njeriut”, njëkohësisht edhe këshilltar në Kuvendin Komunal. Shpallja e Pavarësisë nuk është një akt që ndodhi papritur. Paraprakisht, nga autoritetet e atëhershme në Kosovë, ishin zhvilluar veprime që me miqtë ndërkombëtarë të dakordohet data e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Pra, ishte diçka e pritshme. Diçka që ishte përgatitur ndër vite, për të rrumbullakosur procesin e nisur në qershorin e vitit 1999.

Albanian Post: Meqë edhe jeni deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, si e përjetoni këtë përvjetor të Pavarësisë?

Shaip Kamberi: Ky mund të jetë përvjetorë i veçantë, për faktin që Kosova është në një fazë dinamike të arritjes së një marrëveshje të mundshme me Serbinë e cila do t’i mundësonte edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës, OKB dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë. Pikërisht për shkak të këtij momentumi, për ne, në Luginë të Preshevës është krijuar një pritje e re. Pritje që edhe të drejtat e shqiptarëve në këtë rajon, të behën pjesë e agjendës së bisedimeve dhe marrëveshjes së ardhshme. Simetria në trajtimin e ndërsjellë të pakicave mes Kosovës dhe Serbisë, është parim që do të rehatonte edhe Luginën e Preshevës.

Albanian Post: Si ka qenë situata në Serbi në kohën kur është shpallur Pavarësia e Kosovës?

Shaip Kamberi: Në Serbi ishte një situatë e tensionuar, me paralajmërimet e partive nacionaliste për të shkaktuar trazira. Pritej që ato trazira dhe defilimi i nacionalistëve serbë të ndodh edhe në Bujanoc dhe Preshevë. Kjo do të ishte një shkëndijë për të nisur një konflikt të ri në rajonin tonë. Megjithatë, as nacionalistët më të mëdhenj serbë, nuk guxuan të vijnë në Luginë të Preshevës për të nxitur trazira e konflikt. Ajo që ndodhi në Beograd, me djegien e Ambasadës së SHBA dhe disa ambasadave Perëndimore, ishte historia që ndodhi.

Albanian Post: Sipas jush ku duhet të ndryshojë qasja e institucioneve të Kosovës në raport me banorët e Luginës së Preshevës?

Shaip Kamberi: Edhe Republika e Kosovës edhe Republika e Shqipërisë, kanë obligim që të marrin përsipër përkujdesjen institucionale për Luginën e Preshevës. Kosova tashmë ka ndarë një fond prej 2 milion eurosh, për të ndihmuar nevojat e njerëzve këtu. Kjo duhet të vazhdojë dhe të ndiqet edhe nga Shqipëria. Kosova duhet të shfrytëzojë dialogun me Serbinë, për ta detyruar këtë shtet të ketë një qasje të re ndaj shqiptarëve. Qasje që garanton dhe respekton të drejtat tona sipas standardeve ndërkombëtare dhe sipas parimeve që do të përcaktohen me marrëveshjen e ardhshme mes dy shteteve.

Albanian Post: Që nga shpallja e Pavarësisë, çka konsideroni se ka ndryshuar në aspekt pozitiv për banorët e Luginës dhe çka është anashkaluar?

Shaip Kamberi: I përmenda se cilat veprime po ndërmerr Kosova dhe cilat duhet t’i ndërmarrë në procesin e negociatave me Serbinë. Por, duhet theksuar se edhe Republika e Shqipërisë, e cila, vitet e fundit po shënon ngritje në raportet bilateral me Serbinë, duhet të ketë një angazhim dhe prezencë më të madhe në Luginë të Preshevës.

Albanian Post: Cilat janë kërkesat e përfaqësuesve shqiptarë në Serbi?

Shaip Kamberi: Për dekada me radhë, Serbia nuk respekton të drejtat fundamentale të shqiptarëve. Kërkesa jonë, pra, është të respektohen ato të drejta, sikurse të respektohen edhe tre (2001, 2009, 2013) marrëveshjet që i kemi nënshkruar me Serbinë. Në rrethanat kur po pritet që dialogu i Brukselit të përfundojë me marrëveshje ndërshtetërore, ne po kërkojmë që parimet e marrëveshjes së ardhshme të kenë vlerë universale. Pra, ato parime duhet të vlejnë edhe për pakicat e tjera në Ballkanin Perëndimorë, jo vetëm për “pakicën hyjnore” të serbëve të veriut të Kosovës.

Albanian Post: Para 15 vjetëve ku mendonit se do ta shihnit Kosovën më mirë sesa që është aktualisht? Cilat kanë qenë pritshmëritë e juaja?

Shaip Kamberi: Kam pritur që ky rreth vicioz me Serbinë të mbyllet më herët. Në këtë mënyrë perspektiva evropiane edhe e njërit edhe e shtetit tjetër do të ishte më realiste. Mjerisht, ardhja në pushtet e radikalëve të reformuar (SNS) në Serbi disi i dha një tjetër kaheje gjërave. Dialogu i Brukselit, nga i cili pritej më tepër nuk dha rezultatet e duhura, sepse edhe marrëveshjet e arritura nuk u respektuan. Për ne, në Luginë të Preshevës, është me rëndësi “Marrëveshja për njohjen e diplomave që akoma nuk po respektohet”.

Në të njëjtën kohë filloi një krizë identitare në Bashkimin Evropian. Autoritarët Brenda BE-së, sikurse Orban, disi u lidhën me presidentin autoritar serb. BE, mbeti e ngathët, nuk ishte më një fuqi dinamizuese për vendet e Ballkanit. Si e tillë asaj i mungonte i ashtuquajturi “soft poëer”, për të çuar gjërat përpara. Ajo u bë e ngathët. Mungonte një sinkronizim më i madh transatlantik (SHBA-BE).

Tek me fillimin e luftës në Ukrainë, e cila ndikohej në ndërtimin e një solidariteti më të madh brendaeuropian, e cila ndikoi që Evropa e sidomos BE të kuptoj se pa ombrellën amerikane të sigurisë, do të rrezikohej nga Rusia e cila pretendonte të ringjallte influencën e kohës sovjetike, gjërat duket filluan të marrin një dinamikë të re.

Një konflikt i ri në Ballkan, të cilin Rusia jo vetëm që po e dëshiron, por, edhe po e stimulon, e shtyri BE-në e sinkronizuar me SHBA-në të jetë më dinamike.

Albanian Post: Cili është urimi juaj në këtë përvjetor të Pavarësisë?

Shaip Kamberi: Për Pavarësinë e Kosovës, kanë sakrifikuar gjenerata të shumta. Urime të gjithëve Pavarësia e 15-të, me shpresën se përvjetori i radhës do ta gjejë Kosovën të anëtarësuar edhe në KE edhe në OKB, sikurse edhe institucionet tjera ndërkombëtare. Kjo do ta mbyllte përgjithmonë aspiratën kolonialiste të Serbisë, por, edhe Ballkanit Perëndimorë do t’i japë një perspektivë evropiane më realiste.

Një sërë ngjarjesh lanë gjurmë në historinë 15-vjeçare të Kosovës që nga anëtarësimi në organizata të ndryshme ndërkombëtare e deri tek mirëpritja e festivaleve dhe eventeve botërore.

Përpjekjet e Kosovës për Pavarësi, filluan tri dekada më parë, kur asaj iu hoq dhunshëm autonomia që gëzonte brenda Jugosllavisë së atëhershme.

Mundi dhe sakrifica për të shpallur Pavarësinë e Kosovës kishte nisur që nga viti 1999.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore