Shqipëria

Kur do të të vijë fundi, Femicid?


29 nëntor 2023: “Një nga të arrestuarit për vrasjen e gruas në Prishtinë është bashkëshorti”.

4 dhjetor 2023: “Gjendet e vrarë 14-vjeçarja e zhdukur prej ditësh në Maqedoninë e Veriut”…”i përfshirë edhe babai”.

Në pak ditë, kaq shumë…

E parrëfyeshme është dhimbja për këtë realitet të shkarravitur e të shpërfytyruar nga ai, vrasësi brenda strehës familjare.

Një realitet që përditë normalizon makabritetin, që përditë shemb e copëton jetën, mohon pa mëshirë gjakun, përçan e zvarrit ndjenjat, e që shpërbën gjithë çka na mban bashkë.

Këto janë lajmet që do të donim të lexonim?

Ky është vendi që kemi përfytyruar të jetojmë?

Kjo është familja jonë?

Çfarë dështimi i madh! Dhe kemi dështuar të gjithë! Pa dallim.

Të rrëqeth ta shkruash, por…është fakt i pranuar tanimë nga shifrat që gratë dhe vajzat kanë më shumë gjasa të vriten nga njerëzit më të afërt.

Madje partnerët aktualë dhe ish-partnerët rezultojnë autorët më të mundshëm të femicideve, globalisht.

Për Albanian Post, psikologe Jonida Haxhiu, ka zbërthyer këtë fenomen drobitës për shoqërinë tonë, duke i dhënë përgjigje “Pse-së?”.

“Në të gjithë botën ka raste të tilla për fat të keq. Sigurisht që në shumicën e rasteve në themel qëndrojnë probleme të shëndetit mendor të këtyre meshkujve, por nga ana tjetër, edhe një pamundësi e femrave viktima për të mbrojtur veten, për të shpëtuar nga dhuna, që zakonisht është e përsëritur, dhe për të qenë në gjendje të kuptojnë që askush nuk mund të të cenojë në atë që është integriteti dhe siguria fizike apo psikologjike”.

“Cilatdo qofshin arsyet që një mashkull pretendon, asnjë nuk mund të përligjë dhunën”.

Pse po ndodhin këto vrasje?

Ka një sërë arsyesh, sipas saj.

Në krye të listës Haxhiu rendit problemet e shëndetit mendor.

“Në kontekstin tonë dhe jo vetëm, konsiderohet ende një problem i madh të pranuarit e pasjes së një problem të shëndetit mendor dhe këshillimi me një specialist. Vetë personi, por shpesh edhe të afërmit, miqtë apo familjarët e tij, e pengojnë si formë e dashurisë apo kujdesit për të kërkuar ndihmë te një specialist”.

Dhe kjo ndodh si përpjekje për ta mbrojtur këtë individ nga stigma apo diskriminimi që “në jo pak raste” shoqëron një individ të diagnostikuar me probleme të shëndetit mendor.

Çka anashkalohet – referuar psikologes – është se pasojat e mosdiagnostikimit dhe trajtimit në kohë të problemeve të shëndetit mendor, mbartin rrezikun e agravimit të mëtejshëm të këtyre gjendjeve duke sjellë mjaft pasoja për individin, por edhe për personat pranë tij, apo edhe më gjerë.

“Individë që kanë një spektër të problemeve të shëndetit mendor, mund të bëhen edhe agresivë, të dëmtojnë veten apo të tjerët, të mos përjetojnë dhimbje për vuajtjen që u shkaktojnë të tjerëve”.

“Ndaj është shumë e rëndësishme për të gjithë ne, për evidentimin te të afërmit të shenjave apo sinjaleve që ka gjëra që nuk shkojnë me të, që ka ndryshuar në mënyrën e sjelljes, të reagimeve, që ka probleme në funksionimin social e psikologjik dhe nëse elemente të tilla janë të pranishme, nxitjen e këtij personi për të takuar një specialist të shëndetit mendor”.

Haxhiu sjell në vëmendje edhe ndikimin e mentalitetit patriarkal që fatkeqësisht në shumë raste është prezent në mosha dhe kontekste të ndryshme.

“Në pamje të parë, priremi ta mendojmë të lidhur me zonat rurale, mungesën e shkollimit apo një status të ulët socio-ekonomik. Por faktet tregojnë një pamje shumë më të zymtë, dhunën me bazë gjinore e gjejmë edhe në qendrat e zhvilluara urbane, nga personat me një formim të avancuar akademik apo persona me status të lartë socio-ekonomik, pra nuk lidhet me faktorët demografikë, por ka rrënjë më të thella”.

Mentaliteti ynë – në optikën e psikologes -është shumë i ndjeshëm ndaj rasteve të tilla të dhunës, ndaj humbjeve të pafajshme të jetës.

Por nëse ne analizojmë të përditshmen është pikërisht ky mentalitet që “e ushqen dhunën me bazë gjinore, duke i rritur ndryshe djemtë e vajzat, duke toleruar ndryshe djemtë nga vajzat, duke i edukuar në mënyrë aspekt të përshtatshme djemtë dhe vajzat”.

Sipas Haxhiut, të gjitha këto bëjnë që këta individë të jenë individë të rritur që e mendojnë veten dhe sillen si “superiorë” sepse janë meshkuj dhe “inferiore” sepse janë femra, meshkuj që përpiqen të dominojnë femrat dhe femrat që e pranojnë këtë si normale.

“Të funksionuarit sipas këtij mentaliteti, në shumë raste kombinuar me probleme të shëndetit mendor mund të degradojnë në krime monstruoze si ato që jo pak herë kanë tronditur opinionin publik, ku viktimat kanë qenë femra të pafajshme”.

Parandalim, parandalim, parandalim

Parandalimi është tejet i rëndësishëm, sipas Haxhiut.

Sepse nuk mund të presim të ndodhin ngjarje të rënda – ku një grua apo vajzë humb jetën – që të iniciohen protesta apo nisma publike.

“Ky kujdes duhet të jetë nga të gjithë, çdo ditë”.

“Secili prej nesh në të përditshmen e tij duhet të jetë i ndërgjegjshëm që dhuna nuk është një mjet komunikimi e nëse ndodh, diçka nuk shkon”.

Për Haxhiun, me rëndësi është që djemtë të edukohen kundër dhunës dhe superioritetit fizik, por si forma të inferioritetit dhe problemeve të tyre psikologjike.

Po ashtu është e rëndësishme që vajzat të edukohen që të ndjehen të sigurta në çdo moment dhe me këdo, “e nëse diku apo dikush ua lëkund këtë mendim, duhet të jenë menjëherë të afta të distancohen, në momentin e duhur, ose sa më shpejt të munden”.

Ajo rithekson se vajzat duhet të edukohen që të besojnë te vetja dhe se askush, pavarësisht nga çfarëdo arsyes, nuk ka të drejtë t’i vendosë në një situatë pasigurie, fizike apo psikologjike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore