Sport

Kupa e Shqipërisë rikthehet me raundin çerekfinal


Kupa e Shqipërisë do të rikthehet këtë të martë me ndeshjet e para çerekfinale. Kukësi përballet me Partizanin, ndërsa Teuta pret Tiranën.

Sfida e parë e ditës do të luhet në “Kukës Arena” duke filluar nga ora 13:30. Vendasit e Kukësit do të presin Partizanin.

Kukësi vjen në këtë takim pas katër humbjeve radhazi në Superiore. Në krahun tjetër, Partizani vjen nga fitorja në derbi, si dhe dy barazime dhe një humbje.

Takimin e fundit në Kupë, Kukësi e pati ndaj AF Elbasanit, në të cilin triumfoi 1-0. Partizani kaloi në këtë raund duke eliminuar Apoloninë më herët, 3-1.

Dy takimet e fundit mes Kukësit dhe Partizanit këtë sezon, të dyja në Superiore, kanë përfunduar një barazim 1-1 dhe një fitore 4-3 për “Demat”.

Në “Niko Dovana”, duke filluar nga ora 17:00, Teuta do të përballet me Tiranën.

Vendasit vijnë në këtë takim pasi në katër ndeshjet e fundit në Superiore kanë arritur dy fitore, një barazim dhe një humbje. Tirana vjen nga dy humbje, një barazim dhe një fitore.

Teuta mbërrin në këtë raund të Kupës pasi triumfoi 2-0 ndaj Skënderbeut. Në krahun tjetër, Tirana vjen pasi mundi 3-0 Korabin.

Dy takimet e fundit mes dy skuadrave, të luajtura në Superiore këtë sezon, kanë përfunduar në barazim 2-2 dhe një fitore 2-0 për Tiranën.

Durrsakët dhe kryeqytetasit u përballën për herë të fundit në Kupë sezonin e kaluar në gjysmëfinale. Tirana triumfoi 3-0 në takimin e parë, ndërsa ndeshja e dytë përfundoi në barazim 0-0.

Ndeshjet e kthimit: Partizani – Kukësi dhe Tirana – Teuta do të luhen më 5 mars, duke filluar nga ora 14:00.

Dy sfidat e tjera çerekfinaliste të Kupës së Shqipërisë jane Laçi – Egnatia dhe Erzeni – Vllaznia. Ndeshjet e para do të luhen këtë të mërkurë, duke filluar nga ora 13:30.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore