Sport

Kumbulla drejt largimit nga Roma, skuadra italiane shfaq interesim për të


Futbollisti i kombëtares së Shqipërisë, Marash Kumbulla, nuk po kalon aspak momente të mira me klubin e tij Romën.

Në fakt, që nga ardhja e trajnerit Jose Mourinho në krye të klubit verdhekuq, Kumbulla po gjen fare pak hapësira në formacionin titullar.

Mourinho e ka aktivizuar vetëm një herë si titullar në këtë sezon në Serie A, pikërisht në ndeshjen e fundit ndaj Venezia-s, madje edhe në atë sfidë e zëvendësoi në minutën e 65-të, me shqiptarin që tashmë duket se ka dalë plotësisht jashtë planeve të trajnerit portugez.

Afati i ardhshëm kalimtar i janarit, shihet si mundësia më e mirë për mbrojtësin shqiptar për të ndërruar ambient, në mënyrë që të gjejë më shumë hapësira në ndonjë klub tjetër.

Dhe ofertat për 21 vjeçarin nuk mungojnë, me Torinon që është e interesuar për të marrë shërbimet e tij.

Madje, ka qenë vet trajneri i Torino-s, Ivan Juric, i cili i ka kërkuar presidentit Urbano Cairo, një përforcim të vlefshëm në qendër të mbrojtjes dhe Kumbulla është i preferuari i trajnerit kroat.

Ka qenë pikërisht Juric ai që e bëri të famshëm Kumbullën sa ishte trajner i Verona-s, duke e aktivizuar mbrojtësin shqiptar rregullisht, pavarësisht se ishte vetëm 19 vjeçar.

Dhe, ndoshta me trajnerin kroat, Kumbulla do të gjente shkëlqimin që kishte dikur te Verona.

Në rast të transferimit atje, qendërmbrojtësi kuqezi do të bëhej shok skuadre me Etrit Berishën dhe futbollistin e Kosovës, Mërgim Vojvodan.

Kujtojmë që Roma pagoi 26.5 milionë euro për ta transferuar Kumbullan nga Verona, derisa vlera aktuale e futbollistit llogaritet të jetë rreth 22 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore