Shqipëria

‘Kumbara’ e plehrave


Prej marrjes së mandatit qeverisës nga ana e socialistëve, ka pasur një kolonë tepër të qartë përparësie, e cila kishte të bënte me pastërtinë dhe mjedisin.

Mbi të gjitha, kjo “betejë” e Qeverisë për të luftuar papastërtinë dhe plehrat, u forcua kur në krye të dikasterit të Turizmit dhe Mjedisit, në vitin 2021, erdhi Mirela Kumbaro, e cila ende e mban pozitën.

Së fundmi, ajo bëri bujë përmes publikimeve në media sociale, ku apelonte qytetarët e Vlorës për hedhjen e plehrave në koshat e posaçëm.

Gjithçka në rregull këtu – përtej sjelljes jo qytetare të denoncuar nga ministrja – po të mos ishte për fjalorin që ajo vetë ka përdorur në publikime.

“Dembel”, “i paudhë”, apo kërcënime virtuale të tipit “Nuk e di akoma kush je, por po të gjetëm…”, janë të referuar në reagimin e ashpër të Kumbaros.

Me një shfletim të thjeshtë ndërkohë në faqen e platformës “Facebook” të ministres, mund të gjenden përtej ofendimeve për të “paudhët” e plehrave (që të tillë janë në realitet), edhe dhjetëra statuse promovuese të punës për mbledhjen e mbeturinave, apo arritjeve turistike të vendit.

Mbi të gjitha për qytetin bregdetar të Vlorës…

Vetëm se në këtë të fundit, dy herë brenda muajit, landfilli i mbetjeve të qytetit ka qenë në flakë dhe kanë shkaktuar përtej zjarrit masiv, edhe një ndotje të tmerrshme, e cila reflektohet edhe te turistët, jo vetëm te vendalinjtë.

Ndoshta “dembelëve” të plehrave, ministrja mundet t’u detyrohet edhe një shpjegim për këto rrethana në të cilat Vlora është gjendur në fund qershori dhe mes korriku.

Më shumë ndoshta se fjalët e ministres, “të rënda si plumbi”, vlonjatët i ka shastisur edhe tymi sterr i zi i mbetjeve që digjen e kutërbojnë pa hesap…apo pa zgjidhje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore