Lajme

Kuleba: Përgjegjës janë edhe ata që e mbështesin Putin-in


Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka dënuar të gjithë ata që mbështesin dhe nuk i dënojnë veprimet e presidentit rus Vladimir Putin, i cili po bombardon vende ku ka civilë duke lënë të vrarë qindra njerëz mes tyre edhe fëmijë.

“Disa duan të jetojnë në një botë të thjeshtë ku Putin-i është i vetmi përgjegjës për luftën. Realiteti është se dikush në fakt hedh bomba në qytetet e Ukrainës, qëllon të evakuuarit, formon ‘Z-të’ dhe mbështet Putin-in në sondazhe”, shkruan Kuleba në median sociale Twitter, duke shprehur zemërimin për masakrat që po bën presidenti rus në Ukrainë.

Sipas tij edhe ata që e mbështesin mbajnë përgjegjësi.

“Ashtu si në vitet 1930, ata mbajnë përgjegjësi, qoftë edhe të helmuar nga propaganda”, përmbyllet mesazhi i tij.

Kujtojmë që kjo është dita e 23-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Sipas OKB-së, rreth 3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe numri i ushtarëve rusë të vrarë nuk dihet ende – mendohet mbi 13 mijë.

Ndërsa rreth 2 mijë e 500 civilë janë vrarë vetëm në Mariupol nga bombardimet ruse – mes tyre edhe fëmijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore