Lajme

KSHZ: Deri në orën 15:00 votuan 34.59% e qytetarëve


Ilustrim

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), në Maqedoni të Veriut, ka njoftuar se deri në ora 15:00, të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet presidenciale e kanë shfrytëzuar 34.79 për qind e qytetarëve.

Nga më shumë se 1 milion e 800 mijë qytetarë me të drejtë vote, deri më tani, të drejtën e tyre e kanë shfrytëzuar 614 mijë e 52 qytetarë të këtij shteti.

Të dhënat zyrtare të KSHZ-së.

Maqedonia e Veriut të mërkurën është duke zhvilluar raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Në garë janë shtatë kandidatë, dy prej tyre shqiptarë.

Bujar Osmani garon nën siglën e “Frontit Evropian”, i udhëhequr nga lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ndërsa Arben Taravari, është mandatuar nga koalicioni i partive opozitare shqiptare “VLEN”, që kanë mbështetjen edhe të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Mirëpo, duke ditur që shqiptarët nuk janë shumicë në Maqedoni të Veriut, atëherë gjasat që njëri nga ta të kalojë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 8 maj, që do të mbahen së bashku me ato parlamentare, janë tejet të vogla.

Shumë kush, garën e 24 prillit ndërmjet kandidatëve shqiptarë e ka parë si test që partitë politike, përkatësisht “Fronti Evropian” dhe “VLENI” po e bëjnë për zgjedhjet parlamentare.

Dy janë pretendentët kryesorë për të marrë drejtimin e shtetit maqedonas. Stevo Pendarovski (61-vjeçar), nga LSDM-ja, i cili po kërkon një mandat të dytë pesëvjeçar dhe Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE (70-vjeçare), e cila ri-kandidon kundër Pendarovskit.

Kandidatë të tjerë janë edhe Stevço Jakimovski, kryetar i komunës së Karposhit – i shpallur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – Profesoresha e Drejtësisë, Biljana Vankovska, e mandatuar nga e majta ekstreme “Levica” dhe kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

Të shtatë kandidatët për President të Maqedonisë së Veriut.

Rreth 1.8 milionë qytetarë të Maqedonisë së Veriut të mërkurën kanë të drejtë t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kreun e shtetit.

Këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale të këtij shteti, që nga pavarësimi i tij nga Republika Federale e Jugosllavisë, në vitin 1991.

Gjasat janë maksimale që të ketë raund të dytë, i cili mbahet më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore