Lajme

Kush e kërcënoi Vjosa Osmanin?


Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Jetish Maloku, ka thënë se nuk e ka asnjë informacion se kush e ka kërcënuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, pasi kjo e fundit më 17 tetor pati deklaruar se ka marrë kërcënime nga disa persona për hezitimin e saj që ta dekretojë për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufajn.

“Nuk e dimë çfarë kërcënime ka pasur, por nëse ka pasur është dashur të bashkëpunojë më institucionet e sigurisë. Edhe do duhej të tregonte zyra e saj për këtë se kush e ka kërcënuar. Do duhej ta njoftonte opinionin”, tha Maloku gjatë një konference për media.

Po ashtu Maloku ka theksuar se vendi ka mbetur pa kryeprokuror të shtetit që nga viti 2022, meqë Osmani nuk e ka dekretuar Isufajn, pasi e ka vlerësuar procesin e përzgjedhjes si diskriminues.

Jetish Maloku

“Zyra e presidentes ka dështuar duke mos dekretuar kryeprokurorin e ri të shtetit, Blerim Isufajn. Nuk është në mandatin e Osmanit që ta refuzojë mos-dekretimin e Isufajt. Një kemi një opinion të Komisionit të Venecias ku thuhet se rastet e dekretimit të pozitave të larta dhe se presidenti ka rol krejt formal dhe këshillat rol përmbajtjesor”.

Më 17 tetor, Osmani ka njoftuar se nuk e ka dekretuar për Kryeprokuror të ri të Shtetit, Blerim Isufajn, meqë sipas saj, procesi është cilësuar “si i parregullt dhe diskriminues” nga të gjithë vëzhguesit, si nga organizatat vendore dhe ato ndërkombëtare të cilat kanë evidentuar “10 shkelje në procedurën e përzgjedhjes së Kryeprokurorit”.

“Sot e kam njoftuar Këshillin Prokurorial të Kosovës lidhur me vlerësimin e procedurës i cili duke pasur parasysh të gjitha shkeljet, më obligon që mos ta bëjë dekretimin e kandidatit të propozuar për Kryeprokuror, sipas propozimit të KPK-së të datës 8 prill, 2022”, kishte thënë ajo.

Osmania pati shtuar se shumica e shkeljeve janë bërë publike nga organizatat monitoruese të shoqërisë civile në vend dhe nga raporti i Bashkimit Evropian për Kosovën për vitin 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore