Lajme

Kryesindikalisti i ri i Policisë së Kosovës ka tri kërkesa për Qeverinë


Sindikata e Policisë së Kosovës

Nuk ka edhe shumë që kur u zgjodh në krye të Sindikatës së Policisë së Kosovës. Por me të marrë këtë detyrë, Imer Zeqiri, i ka të qarta kërtesat më emergjente për të cilat duhet të avokoj, si kryesindikalist i policëve.

Në listën e gjatë të kërkesave, Zeqiri  ka specifikuar tri nga to, si më të rëndësishmet, për momentin.

Implementimi i Ligjit për Paga, ligji për Pension të Parakohshëm si dhe ligji për Sigurime Shëndetësore.

Zbatimi i ligjit të Pagave, Zeqiri thotë se do ta rriste dinjitetin e pjesëtarëve të forcave të rendit.

Sipas këtij ligji, që u rrëzua nga Kushtetuesja, Polici i Lartë do të kishte pagë bazë 525.80 euro, polici 478, polici i ri 454 dhe kadeti policor 239 euro.

“Ligji i Pagave padrejtësisht është anuluar dhe zhvlerësuar. Është me rëndësi që ky ligj të ecë përpara. Paga bazë e një polici tash aktualisht është 392 euro, pa e llogaritur rrezikshmërinë. Rrezikshmëria është +140 euro”.

“392 euro është pagë shumë modeste. Vetëm vullneti i mirë që i mban në punë. Stimulim nuk ka”, u shpreh Zeqiri për Ekonomia Online.

Pensionimi i një polici në Kosovë aktualisht ndodh sapo ai të mbush 65 vjeç. Kjo po synohet të ulet për dhjetë vite, në 55.

Ligji Për Pensionim të Parakohshëm, me të cilin do të rregullohej ky ndryshim, ishte premtuar nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla se do të shkonte për miratim në Kuvend.

Por, deri tani s`ka ndodh një gjë e tillë.

Andaj, kryesindikalisti Zeqiri thotë se do të angazhohet për përshpejtimin e këtij procesi.

“Është përparësi edhe për shtetin. Gjithashtu do të shërbente për një rifreskim të policisë. Do të vinte një moshë më e re”, u shpreh Zeqiri.

Kur kjo të ndodh, polici i pensionuar do të merrte diku rreth 60 % të pagës aktuale.

E kërkesat nuk mbarojnë me kaq.

Sigurimi shëndetësor është dëshirë e kahmotshme e zyrtarëve policorë.

“Nuk ka vend në botë ku policët nuk i kanë. Jemi të zhveshur nga kjo e drejtë edhe 22 vjet pas luftës. Do ta shtyjmë përpara këtë çështje”, pohoi Zeqiri.

Imer Zeqiri përmendi edhe disa kushte të tjera, plotësimin e të cilave do ta kërkojë si kryesindikalist i policëve.

Mes tjerash, pagesën për shujtën, orët shtesë gjatë pandemisë, rritjen e pagesës për ndërrimin e natës si dhe sigurimin e transportit.

Kuvendi i katërt zgjedhor i Sindikatës së policisë së Kosovës

Më 27 nëntor të këtij viti Imer Zeqiri u zgjodh Kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës duke marrë besimin e 72 delegatëve, në kuvendin e katërt zgjedhor.

Ndërsa nënkryetar është zgjedhur Avdi Hoti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore