Lajme

Kryeministri pret që Marrëveshja e Brukselit/Ohrit të kthehet në binarë e Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për rrjetin gjerman të lajmeve “Deutsche Welle (DW), ka treguar për pritshmëritë e tij nga takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), më 14 shtator (e enjte) në Bruksel.

Kreu i ekzekutivit kosovar nga ky takim pret që Marrëveshja e Brukselit (27 shkurt) dhe Aneksi i Ohrit (18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të kthehen në binarët e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar, derisa ka denoncuar Serbinë për shkeljen e vazhdueshme të marrëveshjeve.

“Shpresoj që do të kthehemi në binarët e zbatimit të Marrëveshjes Bazë dhe kjo nënkupton një plan të sekuencuar të zbatimit të marrëveshjes. Gjashtë fjalitë e para të preambulës, 11 nenet dhe 12 pikat e aneksit të zbatimit nga Brukseli e nga Ohri do të duhej që të zbatoheshin sa më parë e në plotëni”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai ka thënë se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell dhe Emisari Special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duhej të akuzonin Serbinë për shkeljen e marrëveshjes së dakorduar, sikurse në rastin e votimin kundër Kosovës në Këshillin e Evropës më 24 prill të këtij viti.

“Cdo herë kur ka shkelje të marrëveshjes, arbitrat Borrell dhe Lajçak, do të duhej të vërshëllenin për shkeljen që u bë dhe jo sikurse me datën 24 prill kur Serbia në Këshillin e Evropës votoi kundër anëtarësimit të Kosovës, nga Brukseli nuk u dëgjua kurrfarë zëri e as pëshpërimë, e jo më vërshëllimë”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti ndër të tjera ka nënvizuar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës që janë vendosur nga BE-ja për shkak të “paaftësisë që të sillet në mënyrë evropiane” me partnerët perëndimorë, veçse e kanë dëmtuar procesin e dialogut nën patronazhin e BE-së dhe tash pret që të njëjtat të largohen sa më parë.

“Tavolina në Bruksel në këtë mënyrë është dëmtuar dhe dialogu është dëmtuar nga masat. Unë besojë që sa më parë që të hiqen ato është mirë edhe për BE-në që prezanton vlera, edhe për Kosovën që ka nevojë për zhvillim”, ka shtuar shefi i Qeverisë së Kosovës në prag të takimit të radhës me palën serbe.

Marrëveshja kërkon nga palët, ndër të tjera, që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialog, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, por kryeministri Kurti ka inistuar se ajo e ka njohjen de facto në qendër e jo Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç janë takuar për herë të fundit më 2 maj, ndërsa tensionimi i situatës në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë ka ndikuar substancialisht në bllokimin e ecurisë së procesit të dialogut që i mbajti të zënë diplomatët perëndimorë përgjatë gjithë kësaj kohe.

Liderët e insitucioneve të BE-së gjithashtu po presin që palët të kontribuojnë në krijimin e atmosferës së normalizimit të marrëdhënieve, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që Kosova dhe Serbia kanë marrë përsipër veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mes të muajit mars në Ohër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore