Lajme

Kryeministri Kurti pas vaksinimit: Me shembullin tim dua t’i inkurajoj qytetarët që të vaksinohen


Vaksinohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me vaksinën anti-COVID nga kompania AstraZeneca.

Pas procedurës së vaksinimit, Kurti para mediave ka thënë se nuk është aty që të shfrytëzojë privilegjin për tu vaksinuar i pari.

“Jam këtu që t’i inkurajoj të gjithë qytetarët që të vaksinohen dhe t’ua largoj dilemat mbi dobinë e kësaj ndërmarrje”, ka thënë Kurti.

Tutje ai shtoi se “do të përpiqemi maksimalisht që sa më shpejt, sa më shumë qytetarë të vaksinohen”.

Kurti po ashtu ka theksuar se meqenëse përballemi me këtë pandemi, vaksinat janë të nevojshme dhe sipas tij “zgjidhja përfundimtare e kësaj pandemie është vaksinimi i të gjithë popullsisë”.

Ndërkohë ai ka bërë thirrje që të vazhdohet me mbajtjen e masave për parandalim të pandemisë, duke mbajtur maskat, distancën fizike, higjienën dhe evitimin e grumbullimeve në vendet e mbyllura.

Po ashtu, Kurti ka falënderuar të gjithë punonjësit e shëndetit publik, për të cilët thotë se në fazën e parë të vaksinimit “personeli shëndetësor dhe të moshuarit janë të parët që do të vaksinohen”, dhe për të vazhduar më tej me të tjerët.

I pranishëm ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë, aty ku edhe po bëhet vaksinimi i personave të parë.

Vaksinimi në Kosovë ka nisur të hënën më 29 mars, fillimisht në komunën e Prishtinës, kurse vaksinimi në komunat e tjera pritet të nisë gjatë kësaj jave.

Kështu ka bërë të ditur edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një takim virtual që ka mbajtur me kryetarët e komunave të Kosovës në lidhje me koordinimin dhe procesin e fillimit të vaksinimit.

Qëllimi i këtij takimi ishte që kryetarët e komunave të informohen rreth procesit të shpërndarjes dhe fillimit të vaksinimit.

Të hënën e 28 marsit, në Kosovë ka arritur kontingjenti i parë i vaksinave kundër Coronavirusit, nga kompania AstraZeneca që janë siguruar përmes programit “COVAX”, mundësuar nga Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore