Lajme

Kryeministri i Ukrainës: Korrja e grurit ka të ngjarë të jetë 20% më pak se vitin e kaluar


Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal të premten e 8 prillit ka deklaruar se korrja e drithit të këtij viti ka të ngjarë të jetë 20% më pak se vitin e kaluar.

Deklarata e tij ka të bëjë me faktin se është mbjellur një sipërfaqe e reduktuar e tokës për shkakt të pushtimit të Rusisë.

Ai tha se kishte mungesë karburanti për fermerët, por Ukraina dinte se si t’i mbante ata të furnizuar.

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Reuters” raportoi se ai gjithashtu tha se Ukraina kishte rezerva të mëdha të drithërave dhe vajit vegjetal dhe mund të ushqente popullsinë e saj.

Ministri i ri i Bujqësisë i Ukrainës, Mykola Solskyi, më herët ka bërë me dije se aftësia e vendit për të eksportuar drithëra po përkeqësohej nga dita në ditë dhe do të përmirësohet vetëm nëse lufta me Rusinë përfundon.

Ukraina është një nga eksportuesit më të mëdhenj të drithërave në botë – normalisht ajo eksporton 4-5 milionë ton drithë në muaj.

Jemeni, Egjipti dhe Libani janë ndër vendet që do të përballen me “një katastrofë ushqimore” pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Kjo pasi shumë vende të Lindjes së Mesme mbështeten tek Ukraina për pjesën më të madhe të importeve të grurit.

Lufta në Ukrainë po e kthen “një ekonomi të pasur në mjerim” për miliona njerëz të saj, ndërsa po shkatërron vende si Egjipti, që normalisht blen 85 për qind të drithit nga Ukraina dhe Libani ku 81 për qind e furnizimeve në 2020-ën erdhi nga Ukraina.

Ukraina dhe Rusia prodhojnë 30 për qind të furnizimit me grurë në botë, 20 për qind të misrit dhe 75 deri në 80 për qind të vajit të farës së lulediellit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore