Lajme

Kryeministri holandez Rutte mbijeton për pak nga vota e mosbesimit


Kryeministri holandez i përkohshëm Mark Rutte i ka mbijetuar për pak një vote mosbesimi. Kjo, mbi sjelljen e tij gjatë bisedimeve për të formuar një koalicion qeverisës.

Por ai mbetet nën presion pasi parlamenti miratoi një mocion zyrtar mosmiratimi. Ky i fundit, vuri në dukje se ai nuk kishte “thënë të vërtetën” gjatë bisedimeve. Rutte akuzohet për mashtrim, në lidhje me lëvizjet, për të mënjanuar një deputet.

“Parlamenti më ka dhënë një mesazh serioz dhe unë do përpiqem që të fitoj përsëri besimin duke bërë më të mirën time,” tha Rutte.

Rutte pretendon mandatin e katërt

Rutte, 54-vjeçar, ka qenë në detyrë për më shumë se një dekadë dhe është quajtur “Teflon Mark” për aftësinë e tij që t’i mbijetojë skandaleve.

Megjithatë, pothuajse e gjithë dhoma e parlamentit mbështeti mocionin e mosmiratimit kundër tij. Partneri i tij më i madh i koalicionit, Sigrid Kaag, tha se nuk ishte e qartë për të, nëse do të vazhdonte të merrte përgjegjësinë e formimit të një qeverie të re.

Partia VVD e qendrës së djathtë e Rutte-s fitoi më shumë vende në zgjedhjet parlamentare. Vetëm dy javë më parë ai qe në bisedime për të formuar një koalicion të ri.

Skandali përqendrohet rreth deputetit Pieter Omtzigt, partia e Apelit Demokristian, me të cilin ishte pjesë e koalicionit të mëparshëm.

Omtzigt, një kritik i Rutte-s, kishte ndihmuar në zbulimin e një skandali me mashtrimin e mirëqenies së fëmijëve. Kjo e fundit çoi në dorëheqjen e qeverisë në janar, përpara zgjedhjeve në mars.

Mes spekulimeve se Rutte planifikoi të linte mënjanë deputetin popullor, kryeministri fillimisht mohoi diskutimin e çështjes.

Sidoqoftë, të enjten, ai pranoi se i kishte “kujtuar atë gabim” duke thënë vetëm se i ishte kujtuar biseda pasi kishte marrë një telefonatë më parë gjatë ditës dhe duke këmbëngulur: “Unë nuk gënjeva”.

Votimi pasoi më shumë se 12 orë debat, gjatë të cilit besueshmëria dhe integriteti i Rutte-s u vunë në dyshim nga kolegët e tij deputetë.

Anna Holligan e BBC-së në Hagë tha se megjithëse Rutte ka arritur të kapet pas punës së tij, ai është plagosur nga votimi.

Dëmtimi i kryeministrisë së tij do të ketë ndikim në formën dhe drejtimin e qeverisë së koalictionit të ri, vë në dukje ajo.

Sigrid Kaag, partia e qendrës së majtë D66 , nënkampione në zgjedhjet e muajit të kaluar, tha se ajo ishte e pasigurt për t’u bashkuar me një qeveri të re me Rutte-n. “Besimi im tek ai është dëmtuar rëndë. Unë e fajësoj atë për këtë që ndodhi”.

Ajo dhe Wopke Hoekstra i Kristian Demokratëve paraqitën mocionin e mosmiratimit kundër Rutte-s, edhe pse partitë e tyre e kishin mbështetur atë në votë-besim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore