Shqipëria

Kryediplomati portugez viziton Shqipërinë për të “riafirmuar” anëtarësimin në BE


Ministri portugez i Punëve të Jashtme, João Gomes Cravinho, do të jetë për një vizitë zyrtare në Shqipëri të hënën e 25 korrikut.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi portugez “Notícias ao Minuto”.

Pas vizitës në Shqipëri, kryediplomati portugez do t’i drejtohet Maqedonisë së Veriut, të martën.

Zyra e tij e cilëson vizitën e zyrtarit si “moment përcaktues për politikën e jashtme të të dy vendeve”.

“Në një kohë kur po bëhen përparime të rëndësishme në procesin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE), ministri portugez synon, me këtë udhëtim në Tiranë dhe Shkup, të riafirmojë angazhimin e Portugalisë për perspektivat e anëtarësimit”, tregon deklarata në të cilën kishte akses “Notícias ao Minuto”.

João Gomes Cravinho do të jetë në Tiranë për t’u takuar me homologen e tij shqiptare, Olta Xhaçka dhe me kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla.

Nga ana e tij, ministri të martën në Shkup do të takohet me presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe me homologun e tij maqedonas, Bujar Osmani.

Më 19 korrik, BE-ja nisi negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe “momenti historik” u shënua në një ceremoni në Komisionin Evropian, me presidenten Ursula Von der Leyen dhe kryeministrat e dy vendeve.

Hapja e negociatave, të cilën Shkupi dhe Tirana e prisnin prej kohësh, bëhet pasi Maqedonia e Veriut nënshkroi një protokoll dypalësh me Bullgarinë.

Ky i fundit, zhbllokoi një ngërç të gjatë që preku edhe Shqipërinë, me 27-të vende të cilat dhanë ‘dritën jeshile’ për kremtimin e festës në Konferencën e parë Ndërqeveritare.

Maqedonia e Veriut është bllokuar që nga viti 2005 në paradhomën e BE-së, për shkak të vetos greke deri në vitin 2018, dhe bllokimit bullgar në vitin 2020, për shkak të dallimeve historike dhe kulturore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore