Lajme

Kryediplomati hungarez: Anëtarësimi i Serbisë në BE s’duhet të kushtëzohet me normalizim të marrëdhënieve me Kosovën


Ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto

Ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto, në një intervistë për agjencinë e lajmeve kroate “Hina”, ka thënë se Serbia është e gatshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke shtuar se anëtarësimi i saj nuk duhet të kushtëzohet me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Shefi i diplomacisë hungareze ka vlerësuar se lidhja e anëtarësimit të Serbisë në BE me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën “është e padrejtë ndaj Beogradit, sepse nuk varet vetëm nga Serbia”.

Ai tha gjithashtu se projekti i BE-së nuk përfundon derisa të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të saj, sepse “Brukseli ka nevojë për rajonin më shumë se sa i duhet rajonit”.

“Serbia është një komb krenar. Prandaj besoj se qasja e burokracisë nga Brukseli duhet të ndryshojë ndaj saj”, potencoi kryediplomati hungarez.

Szijarto bëri të ditur se gjatë presidencës së BE-së në gjysmën e dytë të këtij viti, Hungaria do të theksojë përshpejtimin e këtij procesi, pasi kjo do t’i japë BE-së “freski dhe vrull të ri”.

Lidhur me sanksionet kundër presidentit të Republika Srpska, Milorad Dodik, i cili shpesh kërcënon se do të shkëputet nga Bosnja dhe Hercegovina, Sijarto potencoi se sanksionet evropiane “nuk kanë pasur sukses askund’ dhe se nuk ka kuptim të ndëshkohet një “lider i zgjedhur në mënyrë demokratike”.

Ai beson se përshpejtimi i anëtarësimit në BE duhet të përdoret për të ulur tensionet në Bosnje dhe Hercegovinë, teksa ka hedhur poshtë deklaratat e disa liderëve perëndimorë se Rusia mund të sulmoj ndonjë një anëtar të NATO-s brenda pak vitesh.

Po ashtu Szijarto shtoi se nuk e sheh Rusinë si kërcënim për asnjë anëtar të NATO-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore