Kosova

KRU “Prishtina”: Kemi në gjendje gatishmërie autobotin për të shpërndarë ujë të pijes


KRU Prishtina.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka thënë se në kontrollet e cilësisë së ujit që vjen nga liqeni i Badovcit ka rritje të Manganit ashtu siç edhe e paralajmëroi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK).

Nga IKSHPK-ja është thënë se kanë në gjendje gatishmërie autobotin për të shpërndarë ujë të pijes.

“Për informacion KRU ‘Prishtina’ në komunikim me IKSHPK, ka bërë furnizimin e QKUK-së përmes alternatives tjetër (Furnizimi Shkabaj – Batllavë), duke ofruar fillimisht siguri në furnizim për nevojat e QKUK-së, sepse uji nga sistemi i Liqenit Batllava (Shajkovc) dhe uji nga Sistemi i Ibrit (Shkabaj) është i sigurt për pije”, thuhet në njoftim.

Tutje nga Institutit është thënë se janë duke vazhduar me marrje të mostrave.

“Gjatë marrjes së mostrave ditën e sotme në veprën e marrjes në liqe, është vënë re se kemi përmirësim në cilësi të ujit në burim dhe duke parë këtë gjendje, menaxhmenti ka marrë vendim që të rrisë sasinë e ujit në trajtim, paraprakisht duke hapur shkarkuesit e linjës marrëse (Liqeni Badovc – SP Badovc)”.

“Kjo ka ndikuar që të kemi mundësi për sasi më të madhe në trajtim, duke mbajtur cilësinë afër standardit – pragut të lejuar për prezence Mangani”, ka njoftuar KRU-ja.

Nga KRU Prishtina, janë bërë të ditur edhe personat të cilët mund të afektohen më lehtë nga situata aktuale.

“Studimet tregojnë se ekspozimi ndaj niveleve të larta të manganit mund të ndikojë në sistemin nervor, të ndikojë në riprodhim dhe të dëmtojë veshkat. Njerëzit mbi 50 vjeç, foshnjat nën gjashtë muaj, njerëzit me kushte të caktuara mjekësore (anemi nga mungesa e hekurit, sëmundje të mëlçisë) janë më të ndjeshëm ndaj këtyre efekteve”.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), u ka bërë thirrje qytetarëve të cilët furnizohen nga fabrika e ujit në liqenin e Badovcit që të mos përdoret uji për pije dhe përgatitje të ushqimit.

Kjo thirrje nga IKSHPK-ja është bërë pasi që analizat e mostrave të ujit në rezultatet laboratorike kanë treguar se ka vlera të rritura të manganit.

“IKSHPK ka ngritur shkallën e gatishmërisë dhe kontrollit të cilësisë së ujit për pije në zonën e mbulueshmërisë. IKSHPK apelon te qytetaret të cilët furnizohen nga Fabrika e ujit në liqenin e Badovcit që të mos përdoret uji për pije dhe përgatitje të ushqimit deri në njoftimin e radhës”, është thënë në komunikatën e IKSHPK-së.

Në njoftimin e Institutit janë bërë të ditura edhe zonat të cilat s’duhet ta përdorin ujin për pije.

“IKSHPK do të vazhdojë me monitorim të ujit për pije dhe përcjelljen e situatës në këto zona. Bashkëveprimi i IKSHPK me KRU “Prishtina” është në vijimësi deri në normalizimin e vlerave referente”.

“Ju lutemi që t’i referoheni vetëm njoftimeve zyrtare të IKSHPK-së për këto të dhëna”, thuhet në reagim.

Më 19 tetor, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka kërcënuar me ndërprerje të punës në rast se nuk zgjidhet problemi me ujë me të cilin po përballet për tri ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore