Lajme

KRU Mitrovica për ndërprerjen e ujit: Pa paguar qytetarët faturat ndaj nesh, s’mund të paguajmë borxhin në KEDS


Ilustrim, uji i pijshëm

Banorët e qytetit të Skënderajt, Mitrovicës së Jugut dhe Veriut, kanë mbetur pa ujë të pijes.

Njoftimin për ndërprerjen e furnizimit me ujë në këto komuna e ka bërë vetë kompania Rajonale e Ujësjellësit, Mitrovica, të cilët kanë njoftuar se KEK/KESKO i ka ndërprerë energjinë elektrike fabrikës së përpunimit dhe trajtimit të ujit në Shipol.

“Nuk është kryer pagesa ndaj KESKO-s për energji, e kanë ndërpre energjinë dhe kur ndërpritet energjia, fabrika pushon së punuari dhe ndërprehet furnizimi me ujë”, ka thënë Nimon Baliu, menaxher në KRU Mitrovica për Albanian Post.

“Zakonisht KESKO dërgon njoftime, kemi pas marrëveshje për pagesën e mjeteve, nuk jam i sigurt nëse keni pas njoftim ose jo, por energjia elektrike është ndalë”, ka vazhduar më tej Baliu.

Bëhet fjalë për mos pagesë të një fature mujore.

“Ne kemi pas borxhe edhe më të mëdha ndaj KESKO-s por, kemi arritur t’i paguajmë. Kjo është një faturë mujore”.

“Nuk kemi njoftim për rikthim të energjisë, kjo varet kur ne e paguajmë faturën, borxhin që kemi ndaj KEDS. Dhe thënë të drejtën kjo nuk varet direkt nga ne, sepse shumë qytetarë  nuk paguajnë shërbimin që marrin. Janë fatura e miliona euro borxhe, dhe ne nuk kemi si të paguajmë KEDS, pa paguar qytetarët”, ka shpjeguar më tej Nimoni për Albanian Post.

Menaxheri i njësisë së KRU Mitrovica në Skënderaj, Ilaz Halili, ka treguar për Albanian Post se bëhet fjalë për një faturë rreth 36 mijë euro.

“Diku 36 mijë euro janë borxh në KEDS dhe ko është vetëm fatura e fundit”, ka treguar Halili.

“Por rreth dy milion na i kanë borxh popullata. Fatura që nuk kanë paguar shërbimet që kanë marrë”, ka vazhduar më tej Halili.

“Ne jemi pagues të rregullt në KEK”.

“S’ka ndodh me na e ndalë rrymën ndonjëherë pa u bërë data një e muajit, në fillim të muajit. Pak e çuditshme, ne kemi pas borxhe edhe më të mëdha e nuk na e kanë ndërprerë rrymën”, ka treguar Halili.

Deri sa KRU Mitrovica të bëj pagesën e borxhit në KEDS ose të arrij ndonjë marrëveshje me ta, qytetarët e Skënderajt, Mitrovicë së Jugut dhe Veriut nuk do të kenë ujë të pijes.

“Njoftojmë konsumatorët e Mitrovicës dhe Skenderajt se sot nga ora 10:00 është ndërprerë prodhimi në Fabrikën/Impiantin për Trajtimin e Ujit në Shipol. Me këtë rast u njoftojmë se nuk do të ketë furnizim me ujë të pijes për Mitrovicë dhe Skenderaj derisa ujësjellësi të kryej obligimet ndaj KESCO-s për energjinë e shpenzuar elektrike”, thuhet në një njoftim publik që KRU Mitrovica e ka publikuar në llogarinë zyrtare të kompanisë në Facebook.

“Apelojmë tek të gjithë konsumatorët  që kanë borxhe ndaj ujësjellësit që të kryejnë obligimet e tyre në mënyrë që të sigurohen mjete për pagimin e obligimeve ndaj furnitorit tonë të energjisë elektrike”, përfundon njoftimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore