Lajme

Kriza e emigrantëve në MB: Autoritetet shqyrtojnë vendosjen e tyre në kazerma


Pas përgënjeshtrimit të lajmit të prestigjiozes britanike “The Times” se emigrantët, të cilët ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar (MB), do të zhvendosen në një kamp refugjatësh në Shqipëri, autoritetet britanike po përballen me një krizë të vërtetë.

Lëvizja më e fundit parasheh ngritjen e një task-force, në bazë të të cilës do të shqyrtohet kalimi  i tyre nga sistemi i hotelerisë në kazermat e ushtrisë britanike.

“The Times” raportoi se kryeministri britanik, Boris Johnson, kishte caktuar kancelarin e Dukatit të Lancaster-it, Steve Barclay, për të mbikëqyrur çështjen e rritjes së numrit të emigrantëve që mbërrinin në brigjet e Britanisë.

Steve Barclay

Të hënën ishte Daily Telegraph, që raportoi se zoti Barclay do të kryesonte takimin e parë të grupit në fillim të kësaj jave.

Kjo, pasi qindra njerëz, duke përfshirë fëmijë shumë të vegjël, bënë kalimin e rrezikshëm të Kanalit Anglez për në MB gjatë fundjavës.

Nisma do të marrë në konsideratë idenë e akomodimit, mundësinë e shkurtimit të përfitimeve, nëse marrëveshjet e kthimit mund të forcohen, si dhe “definimi” në vendet e treta, ndërsa kërkesat përpunohen, tha gazeta britanike.

Deri më tani, më shumë se 24 mijë e 700 njerëz kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar – referuar vitit 2021.

Kjo shifër është pothuajse trefishi i emigrantëve që kaluan Kanalin Anglez në vitin 2020.

Laburistët kanë akuzuar sekretaren e Brendshme, Priti Patel, për “dështim gjithëpërfshirës”.

Sekretari i Brendshëm në hije, Nick Thomas-Symonds, të dielën tha se, me ritmin aktual, më shumë emigrantë do të udhëtojnë drejt Britanisë përmes Kanalit Anglez sesa ka votues në zonën elektorale të Patel-it nëse qeveria nuk vepron.

Sekretari i Shëndetësisë ka pohuar se pandemia e coronavirus-it e ka bërë më të vështirë dërgimin e azilkërkuesve “të dështuar” në vendet nga kanë ardhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore