Lajme

Krijimi i qeverisë së re në Mal të Zi, Gjeloshaj: Forumi Shqiptar funksion në përputhje me vlerat demokratike të ShBA-së


Nik Gjeloshaj

Bartësi i listës së Forumit Shqiptar – partia shqiptare në Mal të Zi – Nik Gjeloshaj, ka thënë se koalicioni që ai e drejtoi në zgjedhjet parlamentare malazeze të 11 qershorit funksion “plotësisht në përputhje me politikën dhe vlerat demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Këto deklarata ai i bëri pasi komentoi deklaratën e ambasadores së ShBA-së në Mal të Zi, Jufy Reising Rajnka, e cila në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, theksoi se shteti që ajo përfaqëson “pret që sa më shpejt që të jetë e mundur të formohet qeveria e re në Mal të Zi, e cila duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe e përkushtuar ndaj vlerave dhe reformave euroatlantike”.

“Forumi Shqiptar nuk dyshon, por vepron plotësisht në përputhje me politikën dhe vlerat demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa hezitim”, ka shkruar Gjeloshja në një postim në rrjetin social “Facebook”.

Në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit koalicioni “Forumi Shqiptar”, që kryesohej nga kryetari i Tuzit Nik Gjeloshaj, arriti që t’i marrë dy deputetë.

Ndërsa, Gjeloshaj, ka thënë se deri më tani nuk ka pasur negociata me Lëvizjen “Evropa Tani”, fituesen e zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit në Mal të Zi, që udhëhiqet nga eksperti financiar Milojko Spajiç, për formimin e qeverisë së re.

Por, ai ka treguar se ka pasur bisedime jozyrtare me përfaqësues të disa partive që përfaqësojnë pakicat në Mal të Zi.

“Kam pasur bisedime joformale me disa parti të tjera minoritare dhe shpresoj t’i finalizoj në ditët në vijim. Prandaj nuk ka pasur negociata me “Evropa Tani”, nga Forumi Shqiptar dhe Iniciativa Qytetare Kroate sepse ne do të negociojmë së bashku”, shtoi Gjeloshaj.

Gjeloshaj, koalicioni i të cilit fitoi dy mandate parlamentare në zgjedhjet e mbajtura më 11 qershor, ka thënë për median malazeze “Pobjeda”, se “Forumi Shqiptar është një organizatë serioze politike”, duke shtuar se ai nuk dëshiron të jetë pjesë e qeverisë së re deri sa të ketë rënë dakord për parime të qarta dhe një platformë për diskutim.

“Pas kësaj, por edhe pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, mund të fillojmë negociatat me “Evropa Tani”. Ne nuk vrapojmë pas askujt për të qenë qeveri me çdo kusht, pa parime të qarta dhe një platformë diskutimi”, ka potencuar ai.

Ndërkaq, kryetari i Tuzit shpreson se do të arrihet “në një kompromis të gjerë dhe një shumicë që mundëson kompletimin e institucioneve”.

Forumi Shqiptar dhe Iniciativa Qytetare Kroate do të bashkojnë forcat për formimin e qeverisë së ardhshme në Mal të Zi.

Kjo ishte bëtë e ditur nga vetë Gjeloshaj përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.

Në foton e publikuar nga kryetari i Tuzit, ku shihet së bashku me kryetarin e Iniciativës Qytetare Kroate, Adrijan Vuksanoviç, Gjeloshaj shkroi: “Së bashku” duke shtuar edhe flamurin e Shqipërisë dhe atë të Kroacisë, si dhe “2 + (plus) 1= (barabartë) 3”, duke iu referuar numrit të deputetëve që kanë marrë.

Në zgjedhjet e 11 qershorit Forumi Shqiptar mori dy deputetë, ndërsa Iniciativa Qytetare Kroate një.

Mandatet e pakicave në formimin e qeverisë në Mal të Zi do të kenë rol determinues, kjo pasi që asnjëra nga partitë e mëdha malazeze nuk arriti që ta marrë shumicën e nevojshme për të krijuar qeverinë e vetme.

Lëvizja Evropa Tani, e udhëhequr nga eksperti financiar, Milojko Spajiç, arriti që të dalë forca e parë në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, duke grumbulluar plotë 24 deputetë, por që janë të pamjaftueshëm për të formuar qeverinë, pasi që nga 81 deputetë sa ka gjithsejtë parlamenti malazez, duhen së paku 41 për të krijuar shumicën e thjeshtë.

Vetë Spajiç deklaroi se partitë që përfaqësojnë pakicat në Mal të Zi, dhe të cilët kanë fituar mandate deputetësh do të kenë prioritet për tu bërë partnerë qeverisës nëse ai bëhet kryeministër.

Përveç kësaj, ai edhe ka përjashtuar mundësinë që të bashkëpunojë me Partinë Socialiste të Demokratëve – forca e dytë politike më e madhe në Mal të Zi – si dhe me Lëvizjen Qytetare që udhëhiqet nga kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Ndryshe, sipas rezultateve preliminare të Qendrës për Monitorim dhe Kërkim (CeMI), lëvizja centriste “Evropa Tani” që udhëhiqet nga Milojko Spajiç, ka fituar rreth 26 për qind të votave (23 mandate).

Koalicioni opozitar “Së bashku” i udhëhequr nga Partia e Demokratike Socialistëve, Socialdemokratët, Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve dhe Partia Liberale ka fituar rreth 23 për qind të votave (21 mandate), kurse koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi” i udhëhequr nga Demokracia e Re Serbe rreth 15 për qind (14 mandate).

Koaliconi “Guximi numërohet” i udhëhequr nga Demokratët e Aleksa Beçiç-it dhe Lëvizja Qytetare URA e kryeministrit në detyrë Dritan Abazoviç ka arritur të fitojë rreth 13 për qind (12 mandate), sipas rezultateve preliminare.

Nga 81 vende deputetësh nga sa numëron Kuvendi i Malit të Zi, fatin e tyre në zgjedhje e provuan edhe dy lista të shqiptarëve. Forumi Shqiptar i udhëhequr nga Nik Gjeloshaj ka arritur të fitojë rreth 2 për qind të votave (2 mandate), ndërsa Aleanca për Shqiptarët e Genci Nimanbegut ka fituar rreth 1.5 për qind (1 mandat).

Sondazhet dhe analistët veçse e kishin parashikuar se “Evropa Tani” që drejtohet nga eksperti financiar Milojko Spajiç dhe presidenti aktual Jakov Milatoviç, do të dalë e para, por pa mandatet e mjaftueshme në Kuvendin e Malit të Zi për ta formuar e vetme ekzekutivin malazez.

Më shumë se 542 mijë qytetarë kishin pasur të drejtë të zgjedhin mes 15 partive dhe kandidatëve prej grupeve pro-perëndimore e deri te ato pro-serbe dhe pro-ruse, ndërsa këto zgjedhje ishin të parat në më shumë se 30 vjet, në të cilat nuk mori pjesë Milo Gjukanoviç – udhëheqësi më jetëgjatë në rajon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore