Shqipëria

Krifca pas takimin me homologun malazez: Bashkëpunimi ekonomik në fokus


Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Shqipëri, Frida Krifca, gjatë vizitës së saj në Turqi, të enjten e 11 nëntorit, u takua me homologun e saj malazez Aleksandar Stijović.

Pas takimit Krifca ka deklaruar se Mali i Zi është një nga fqinjët me të cilët Shqipëria ka ende shumë potencial për të rritur bashkëpunimin ekonomik.

Përveç kësaj ata kanë diskutuar dhe për politikën e përbashkët për mbrojtjen e bimëve. Për këtë të fundit Krifca ka kërkuar nënshkrimin e marrëveshjes së përbashkët, por edhe lehtësimin praktik të kontrolleve fitosanitare.

Gjithashtu, gjatë takimit një nga pikat e diskutimit ishte edhe ndërmarrja e angazhimit të përbashkët në rritjen e numrit të bizneseve ndërkufitare në fushën e turizmit rural.

Më tej, Krifca dhe Stijović diskutuan lidhur me vijimësinë e rritjes së bashkëpunimit për menaxhimin e përbashkët të rezervave peshkore dhe nxitjen e eksporteve të prodhimeve shqiptare të peshkimit.

Në përfundim të takimit, ministrat u shprehën optimistë në forcimin e bashkëpunimit dypalësh tek zhvillimi rural mes Shqipërisë dhe Malit të Zi edhe në aspektin rajonal dhe atë evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore