Lajme

Kreu i KFOR-it i kushton vëmendje të veçantë sigurisë në Kosovë gjatë vizitës në Mal të Zi


Ozkan Ulutas

Komandanti i Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), Ozkan Ulutas, në kuadër të vizitës në Mal të Zi, takoi të hënën ministrin malazez të Mbrojtjes, Dragan Krapoviç, por edhe gjeneralin e Forcave të Armatosura të Malit të Zi, Zoran Lazareviç, me të cilët diskutoi për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe rolin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë së Kosovës.

“Krapoviç takoi komandantin e KFOR-it për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor me referencë të veçantë për Kosovën. Ai theksoi rëndësinë e pranisë së forcave NATO-s në këtë vend, për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe stabil në Kosovë dhe në rajon”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Mali i Zi do të vazhdojë të mbajë prezencën ushtarake në Kosovë në kuadër të KFOR-it, ndërsa rritja e numrit të pjesëtarëve të ushtrisë malazez në KFOR ende pritet të shqyrtohet, duke qenë se nga mbi 4 mijë pjesëtarë në misionin paqeruajtës të NATO-s, vetëm dy janë ushtarë malazezë.

Se prania e NATO-s në Kosovë është e domosdoshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, thuhet edhe në raportin e përvjetshëm të aleancës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), të cilin Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, javën e kaluar e shpalosi në selinë qendrore në Bruksel të Belgjikës.

Në raportin e NATO-s gjendet një referencë indirekte mbi sulmin e dhunshëm të protestuesve serbë ndaj trupave të Forcës së NATO-s në vend në fund të majit të vitit të kaluar në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe – në veri të Kosovës dhe sulmin terrorist të paramilitarëve serbë më 24 shtator 2023 në fshatin Banjë të Zveçanit, ku u vra një polic.

“KFOR-i në vitin 2023 luajti rol kyç për të siguruar stabilitet në Kosovë pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës. Pas shpërthimit të dhunës në muajin maj dhe shtator, aleatët dislokuan rreth 1.000 forca rezervë për misionin, që paraqet rritjen më të madhe në një dekadë. Kjo ia mudësoi KFOR-it ta trefishojë numrin e patrullimeve dhe katërfishojë praninë në veri”.

Në raportin e Stoltenbergut në prag të 75 vjetorit të NATO-s nënvizohet se për shumë vite radhazi misioni paqeruajtës i KFOR-it ruajti një ambient të sigurt dhe garantoi lëvizjen e lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë, në bashkëpunim me organizatat tjera ndërkombëtare sikurse Bashkimin Evropian (BE) dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore