Lajme

Krerët e shtetit bëjnë homazhe në Prekaz: Sulmi ndaj familjes Jashari masakra më e tmerrshme e Serbisë, lufta e UÇK-së e drejtë dhe mbrojtëse


“Sulmi ndaj familjes Jashari është dëshmi e një ndër masakrave më të tmerrshme të kryera nga regjimi i Serbisë’, ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti, pasi kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz këtë të diele.

Sipas Osmanit, “ata u sulmuan në shtëpinë e tyre ku shumica dërmuese e familjarëve që u vranë ishin gra dhe fëmijë, që tregon se kjo ishte ndër masakrat më të tmerrshme të kryera nga regjimi gjenocidal i Serbisë për të cilën fatkeqësisht akoma nuk ka drejtësi”.

“Përveç thirrjes tonë për drejtësi, ne gjithnjë do ta kemi udhërrëfyes të përhershëm trimërinë dhe sakrificën e familjes Jashari sepse ajo çfarë ata bënë për atdheun do të mbes një dritë që do të ndriçojë rrugën përpara të brezave të tërë”.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka potencuar se “po i nderojmë të rënët e familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari”.

Konjufca ka potencuar se është ky moment kur sakrifica kthehet në epope, dhe kur gjithë kombi shqiptar mobilizohet dhe bëhet UÇK.

“Një moment i cili jo vetën që ktheu të gjithë kombin në një ushtri dhe të gatshëm për ta dhënë jetën, por e cila sakrificë e cila e lëvizi botën demokratike dhe aktivizoi faktorin ndërkombëtar që të besonte në kauzën tonë të drejt”, shtoi Konjufca.

“Sakrifica e Jasharajve është momenti më i rëndësishëm brenda përpjekjes çlirimtare të popullit të Kosovës për lirinë tonë. Lavdi të gjithë dëshmorëve”.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka cilësuar si luftë mbrojtëse dhe se drejtësia dhe e vërteta nuk mund të tjetërsohen.

“Ky nuk ishte sulmi i parë ndaj Jashrajave, ata ishin sulmuar nga Serbia që udhëhiqej nga regjimi i Millosheviçit edhe në dhjetor të viti 1991 dhe janar të vitit 1998, dhe të gjitha këto sulme ndaj Jashrajave ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale e Serbisë, UÇK ka bërë luftë mbrojtëse dhe drejtësia dhe e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohen as nga deformimet që vijnë e as nga mohimet që bëhen”, pohoi Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore