Lajme

Krasniqi takohet me përfaqësuesit e QUINT-it dhe zyrës së BE-së: Diskutuam për iniciativat e grupeve nismëtare në komunat e Veriut


Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një takim të përbashkët me përfaqësuesit diplomatik të shteteve të QUINT-it dhe zyrës së Bashkimit Evropian.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një takim të përbashkët me përfaqësuesit diplomatik të shteteve të QUINT-it dhe zyrës së Bashkimit Evropian, ka diskutuar për situatën aktuale në Kosovë, e po ashtu për iniciativat e grupeve nismëtare në komunat e Veriut.

“Me përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe zyrës së BE-së në Kosovë diskutuam për zhvillimet e fundit në vend dhe iniciativat e grupeve nismëtare në komunat e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit”.

Krasniqi, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se çështje e diskutimit ka qenë edhe udhëzimi administrativ.

“Ne mbesim të përkushtuar që të ndërmarrim të gjitha veprimet dhe vendimet e nevojshme që vullneti i qytetarëve të realizohet bazuar në udhëzimin administrativ”.

Më 5 shtator të 2023-ës, ministria Administrimit të Pushtetit Lokal kishte publikuar udhëzimin administrativ që u mundësonte qytetarëve që përmes një peticioni të largojnë kryetarët e komunave.

Ky udhëzim u hartua në kuadër të hapave që Qeveria e Kosovës po ndërmerr për shtensionimin e plotë të situatës në Veri të Kosovës.

Qytetarët në këtë zonë – të banuar me shumicë serbe – po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të zgjedhur në prill. Këto votime ishin bojkotuar nga popullata serbe.

Kosova është zotuar se do të mbajë zgjedhje të reja në katër komunat në veri. Me qenë se dorëheqja e kryetarëve shqiptarë nuk është duke u shqyrtuar, Qeveria ka kërkuar të hartohet ky udhëzim administrativ, që mundëson largimin e tyre përmes mbledhjes së nënshkrimeve.

Në bazë të një raporti të miratuar në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, ku flitet për mekanizmat e demokracisë lokale, ekzekutivi kosovar e ka konsideruar “vështirë të arritshëm” përmbushjen e kritereve për largimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe përmes peticionit të qytetarëve serbë.

Kërkesa për largimin e kryetarëve shqiptarë dhe organizimin e zgjedhjeve të reja, sipas Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), duhet të nënshkruhet nga njëzet (20) përqind e votuesve të regjistruar, porse në raportin e Qeverisë së Kosovës, përmbushja e këtij kriteri është vlerësuar vështirë i arritshëm, për dy arsye kryesore.

“E para, nisma për largim kërkon një kuotë prej 20 për qind të votuesve të regjistruar e që është mjaft sfiduese për t’u arritur. Ndërsa e dyta, procedura e votimit për largim kërkon aprovimin e shumicës së votuesve të regjistruar e cila është e paarritshme dhe mund të bazohet referuar numrit të votuesve që kanë votuar në zgjedhjet lokale”, thuhet në dokument.

“Si rrjedhojë, kriteri rigoroz për ndërmarrjen e nismave për shkarkim e bënë pozitën e fortë të kryetarit të komunës, gjë që kjo ka mundur të jetë një nga faktorët për mosndërmarrjen e një iniciative për largim”, thuhet në raport, ndërsa kujtohet se deri në vitin 2023 nuk ka ekzistuar bazë e mjaftueshme ligjore për funksionalizimin e mekanizmit për largimin e kryetarëve.

Aty ndër të tjera ishte evidentuar se deri në publikimin e raportit nuk ka pasur të dhëna në lidhje me fillimin e ndonjë iniciative për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore bazuar në Udhëzimin Administrativ dhe për më tepër, vlerësohet e paqartë nëse baza ligjore është e mjaftueshme për të vënë në funksion këtë mekanizëm të rëndësishëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore