Kosova

Krasniqi për dhunën ndaj të moshuarës: Tregon për problemet e mëdha që ka shoqëria jonë


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se është i shokuar nga ngjarja në shtëpinë e të moshuarve në Pejë.

“Dhuna ndaj një gruaje të moshuar nga personeli që do të duhej të kujdesej për të, tregon problemet e thella që ka shoqëria jonë. Për më shumë, dhembja është edhe më e madhe kur bëhet fjalë për keqtrajtimin e një nëne të dëshmorit të lirisë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Por sipas tij, “këtu vihet në pah edhe paaftësia institucionale për të monitoruar institucionet e kujdesit për të moshuarit në mbarëvajtjen e punës”.

“Krahas vënies para përgjegjësisë për stafin e papërgjegjshëm që lënduan një zonjë të moshuar, institucionet përgjegjëse e kanë për obligim që të sigurojnë ambient të sigurt për të moshuarit që kanë nevojë për shërbime ndaj tyre në institucionet e tilla”, shtoi kreu i PDK-së.

Krasniqi ka kërkuar që drejtësia duhet të veprojë fuqishëm që nesër rastet e tilla mos të përsëriten.

Dhunë e kërcënime në vend të empatisë, rasti monstruoz që tronditi Kosovën

Në videon e publikuar infermierja e licencuar s’pushon së godituri, derisa e moshuara kërkon të ikën nga “kthetrat” e saj.

“Pak jam t’u ia hi, qysh di me sill unë, pak jam t’u ia hi”, inkurajohet dhunuesja tashmë e arrestuar nga policia e Kosovës për sulm fizik (pos saj, është arrestuar edhe një person tjetër – motra kujdestare në këtë institucion).

Derisa ajo godiste e disa vajza të tjera i buzëqeshin aktit monstruoz, njëra prej tyre thoshte nën gaz se po e xhirojnë rastin “për media”.

Shtëpia e pleqve “Orenda” ka suspenduar katër infermiere nga puna për shkak të sulmit ndaj të moshuarës.

Ky suspendim vjen pas sulmit që u shfaq ndaj të moshuarës të mërkurën por që është raportuar se kishte ndodh një ditë më parë (të martën).

“Pas njoftimit për sjelljen e pahijshme të punëtores A.P (ushtrimi i dhunës ndaj banueses në kohën e kujdestarisë. A.P suspendohet nga puna për veprën e bërë, ndërsa A.R., R.K., dhe G.N për faktin se kanë qenë në ndërrim bashkë me A.P, por nuk e kanë lajmëruar rastin tek përgjegjësi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore