Lajme

Krasniqi, PDK-së: S’po i lejoni kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut që të kërkojnë nga ZRRE-ja që të faturohen


Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës ka thënë se kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, nuk po lejohen nga Partia Demokratike e Kosovës – parti të cilës i takojnë – që të veprojnë njëjtë sikur ata të Leposaviqit dhe Mitrovicës Veriore që të kërkojnë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë për tu faturuar nga Korporata Energjetike e Kosovës.

“Erden Atiq e bëri një kërkesë legjitime që kërkoi nga ZRRE-ja që të faturohet rryma, një kërkesë të njëjtë e patëm edhe për dy kryetarët e PDK-së, mirëpo ata po raportojnë se se ju po ia pamundësoni që të i bëjnë kërkesë ZRRE-së sikur komuna e Mitrovicës së Veriut dhe ajo e Leposaviqit”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, ai i u kundërpërgjigj deklaratës së kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili këtë të premte në Kuvendin e Kosovës, tha se Erden Atiq – kryetari i Mitrovicës Veriore nuk është duke shkruar në zyrën në objektin komunal, duke pohuar se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

“Erden Atiq është në zyre të komunës çdo ditë, duke qeverisur në zyre të komunës së Mitrovicës së Veriut”, shtoi ai.

Sa i përket vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i futur në zyrat e tyre kryetarët e Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, ministri theksoi se “kam besuar që në këtë proces jemi të gjithë së bashku”.

“Dhe është në interes nacional që edhe kryetarët të punojnë nga zyrat e tyre, në objektet e komunave, mirëpo edhe asamblistët ta japin betimin në sallën e asambles komunale”.

Për kritikat e PDK-së se nuk po ka koordinim nga ana e Qeverisë me kryetarët që vijnë nga kjo parti, dhe se po anashkalohen, ai potencoi se ka pasur veprime të koordinuara dhe se disa vendime janë marrë pas kërkesave të Izmir Zeqirit si kryetar i Zubin Potokut, dhe Ilic Pecit si kryetar i Zveçanit.

“E kam bërë të qartë edhe në takimet me kryetarët, që në momentin kur zgjidhesh kryetar duhet që të bie poshtë uniforma partiake. Të dy kryetarët kanë kërkuar që seanca e betimit të bëhet në Qabër dhe në Boletin, ka qenë kërkesë ekskluzive e tyre që të bëhet kështu”.

“Ne e plotësuam këtë kërkesë dhe një ditë më pas e mundësuam që të shkojnë në zyrë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore