Lajme

Krasniqi-Kurtit: Kuptojeni drejt mesazhin që ua dha qytetari, këndelluni


Memli Krasniqi dhe Albin Kurti

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës ka bërë thirrje Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të lexojë si duhet rezultatin e zgjedhjeve.

“Ftesa ime ndaj jush është e sinqertë, t’i përmbahemi asaj çfarë është përgjegjësi e juaj si qeveri, që janë më të mëdha se zakonisht. Qytetari i Kosovës në këto zgjedhje ka folur shumë qartë dhe ka treguar se ky ritëm i juaj është i pamjaftueshëm”, ka thënë Krasniqi.

“Çka kemi nxjerrë nga ky proces është njohja me profilin e ri të qytetarit që është maturia për të zgjedhur qeverisje që i përgjigjet, qytetari që nuk shantazhohet, nuk frikësohet dhe se pranon arrogancën. Ky standard na imponohet të gjithëve pavarësisht pozitave që mbajmë, duhet të kuptojmë pushteti në Kosovë nuk mund të ushtrohet pa qytetarë dhe se pushteti në Kosovë nuk mund të ushtroje pushtet mbi qytetarët”, ka thënë ai.

Në anën tjetër ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se si parti në pushtet do të angazhohen maksimalisht për shtyrje para të procesit të reformës zgjedhor në Kosovë.

“Qytetarët dhe grupet politike treguan kulturë të lartë në këtë proces zgjedhor. Për diasporën dhe të gjithë qytetarët që presin reformën zgjedhore, ju konfirmojë se do të angazhohemi maksimalisht si pozitë që të fillojmë këtë proces të rëndësishëm për pjesëmarrje të sigurtë dhe kredibile për të gjithë ata që duan të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë”.

Kritika ndaj Qeverisë Kurti ka pasur edhe nga ana e deputetes nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, pasi sipas saj janë bërë nëntë muaj që nga koha kur kjo qeveri ka ardhur në pushtet dhe ende nuk ka marrë asnjë vendim të vetëm që do të përmisonte jetën e qytetarëve.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i ka bërë thirrje Qeverisë që Ligji për Paga të sillet në Kuvend sa ma shpejt.

Tahiri ka thënë se Qeveria duhet të tregojë nëse dëshiron ta procedojë këtë Ligj apo jo e të mos mbajë peng sindikatat.

“Ne si grup parlamentar e vlerësojmë se një prej ligjeve më të rëndësishme është Ligji i Pagave. Ligji i Pagave është dashur të vijë në Kuvend më 29 tetor të këtij viti, deri tash nuk ka ardhur ky Ligj, por nga të gjitha dhënat që i kemi, shihet se ky ligj nuk do të ketë mundësi të vijë në shqyrtim këtë vit në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Tahiri nga foltorja e Kuvendit.

“Ligji është gati, kërkojë nga ju ta sjellni sa më parë në mënyrë që ta buxhetojmë ose të deklaroheni se nuk keni vullnet ta sillni në Kuvend këtë ligj”, ka përfunduar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore