Kosova

Krasniqi e falënderon Turqinë për ndihmën në procesin shtetformues, kërkon ruajtjen e raporteve me aleatët


Memli Krasniqi dhe Mehmet Kemal Bozay

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, të hënën ka pritur në takim zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend dhe rolin pozitiv të Turqisë në procesin shtetformues të Kosovës.

Kreu i PDK-së, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka thënë se thellimi i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Turqisë në fusha të ndryshme është në funksion të miqësisë mes dy vendeve dhe fuqizimit të shtetit të Kosovës.

“Mysafirët i njoftova me zhvillimet e fundit politike në Kosovë, qëndrimet e PDK-së në raport me to dhe rrugën më të mirë përpara për vendin, drejt integrimit euro-atlantik e duke ruajtur raportet me aleatët përmes veprimeve të përgjegjshme politike”.

“Zëvendësministrin Bozay e falënderova për vizitën, interesimin dhe gatishmërinë e vazhdueshme të shtetit tonë mik, Turqisë, për të ndihmuar Kosovën në të gjitha etapat e shtetformimit”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi, të hënë.

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 14 korrik, ka konfirmuar se Kosova ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia, ndërsa shteti turk ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë të mbështesë në çdo mënyrë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore