Lajme

Krasniqi e Davenport diskutojnë për procesin e shkarkimit të kryetarëve në Veri


Elbert Krasniqi dhe Michael Davenport

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, këtë të premte ka takuar Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, me të cilin ka diskutuar për nisjen e procesit të shkarkimit të kryetarëve në katër komunat veriore të Kosovës.

“Ne mbesim të përkushtuar që të ndërmarrim të gjitha veprimet dhe vendimet e nevojshme që vullneti i qytetarëve të realizohet bazuar në udhëzimin administrativ”, ka shkruar Krasniqi në platformën sociale, Facebook.

Për takimin në fjalë është deklaruar edhe shefi i OSBE-së, Davenport i cili ka njoftuar se në këtë fazë është e rëndësishme që procesi i peticionit për shkarkimin e kryetarëve në Veri të ecë pa probleme dhe në përputhje me ligjin dhe rregulloret.

“Ashtu si zgjedhjet, shkarkimi i kryetarëve duhet të jetë i lirë e drejtë dhe demokratike”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Në katër komunat veriore të Kosovës ka nisur mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve.

Peticioni për shkarkimin e kryetarit të komunës po mbahet në bazë të Udhëzimit Administrativ që Qeveria e Kosovës e miratoi shtatorin e vitit të kaluar për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në komunat në Veri, pasi serbët lokalë nuk po i pranojnë kryetarët shqiptarë.

Që peticioni të jetë i suksesshëm, kërkohet që të mblidhen së paku 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar.

Kjo nënkupton se në Zubin Potok duhet të mblidhen 1 mijë e 347 nënshkrime, ndërkaq peticionin në Zveçan duhet ta nënshkruajnë 1 mijë e 411 qytetarë.

Në Mitrovicë të Veriut kërkohen të paktën 3 mijë e 640 nënshkrime ndërsa në Leposaviq 2 mijë e 689.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore