Lajme

Krasniqi e Abdixhiku urojnë Bajramin e Fitrit: Le të përqafojmë frymën e faljes, pajtimit dhe tolerancës


Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi

Liderët e partive opozitare kanë uruar besimtarët myslimanë për festën e Bajramit të Fitrit, duke e konsideruar si festë e forcës së besimit, qëndrueshmërisë dhe sakrificës.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se si gjithherë, kjo ditë na e rikujton rëndësinë e bujarisë, dhembshurisë dhe përkujdesjes ndaj atyre me më pak fat.

“Në një botë që përballet me sfida dhe pasiguri, Bajrami shërben gjithmonë si një fanar shprese, uniteti dhe solidariteti. Andaj, këtë ditë, le të përqafojmë frymën e faljes, pajtimit dhe tolerancës”, shkroi Krasniqi.

“Juve dhe të dashurve tuaj – ky Bajram ju sjelltë paqe, lumturi dhe shumë bekime. Shpërndani dashuri e mirësi kudo që shkoni!”, përfundoi ai.

Ndërsa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, u uroi besimtarëve myslimanë shëndet, begati e plot gëzime secilit në familjet e tyre.

“Le të shpresojmë që lutjet, veprat e mira e sakrifica gjatë muajit të Ramazanit të jenë pranuar nga Krijuesi; e le të punojmë që vlerat e mësuara gjatë muajit të shenjtë e vet festës së Bajramit, të jenë vlera të përditshmërisë sonë”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

“Që sakrifica, solidariteti e kujdesi ndaj njëri-tjetrit, të na shoqërojnë në secilën sjellje tonën. Që lidhjet me familjen, miqtë e gjithë atdheun, të na drejtojnë si synim i ecjes sonë të përditshme”, përfundoi ai.

Edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani, i kanë uruar besimtarët myslimanë për festën e Bajramit të Fitrit.

Urimin e tij, kryeministri e ka bërë përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se lutjet gjatë muajit të Ramazanit, “le të bëhen urimet më të përzemërta për familjet, miqtë dhe të dashurit tuaj në këtë ditë të Bajramit”.

“Kufizimet e përjetuara, le të bëhen ndërgjegjësim shtesë gjatë gjithë vitit për të mirat që kemi dhe të tjerët që kanë më pak. E mëshira dhe mirësia, le të mbeten normë e përditshme për të gjithë, ndaj të gjithëve”, shkroi Kurti.

Ai ka theksuar se me urimin që agjërimi dhe lutjet t’ju jenë pranuar, “ju dëshiroj të gjithëve një ditë gëzimi dhe mbarësi përherë!”.

Ndërsa, presidentja Osmani ka theksuar se festa e Bajramit të Fitrit është përkushtim ndaj besimit, sakrificës dhe vetëmohimit.

“Lutjet dhe sakrifica juaj përgjatë muajit të Ramazanit u pranofshin. Ju përcjelltë shëndeti, mbarësia dhe begatia në familjet tuaja!”, ka theksuar ajo.

Në këtë ditë feste, ka shtuar e para e vendit, “të gjithë duhet ta hapin zemrën, ta shtrijnë dorën e mirësisë dhe bujarisë për ata që kanë nevojë”.

“Qoftë kjo ditë e mbushur me gëzim të pakufishëm, paqe, tolerancë dhe respekt të ndërsjellë!”, përfundoi ajo.

Ndryshe, besimtarët myslimanë anembanë botës kremtojnë festën e Bajramit të Fitrit, pas një periudhe 30-ditore agjërimi gjatë muajit të Ramazanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore