Lajme

Krasniqi: Dështimi të mbetet në ndërgjegjen e Qeverisë, para se të bëhet pengesë për ëndrrat e fëmijëve


Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, teksa ka uruar fillimin e vitit të ri shkollor ka përmendur edhe dështimin e Qeverisë për të siguruar librat për nxënësit.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ai ka thënë se mos sigurimi i librave duhet të mbetet në ndërgjegjen e Qeverisë “para se të bëhet pengesë për ëndrrat e fëmijëve tanë”.

“I kuptoj shqetësimet tuaja si prindër se kjo aventurë e jashtëzakonshme për fëmijët tuaj, u shoqërua me zhgënjime të mëdha si pasojë e dështimit të Qeverisë për të siguruar librat për të gjithë nxënësit me kohë dhe në mënyrën e duhur”.

“Por, ky dështim le të mbetet në ndërgjegjen e Qeverisë, para se të bëhet pengesë për ëndrrat e fëmijëve tanë”, ka shkruar Krasniqi.

Nga fëmijët Krasniqi, pati kërkesë që të mos dorëzohen nga ëndrrat e tyre dhe të punojnë fuqishëm për realizimin e tyre.

“Është shumë e rëndësishme që përtej këtyre sfidave, të mos i lëmë synimet tona të lëkunden. Sot është një ditë për të përqafuar ëndrra dhe aspirata të reja”.

“Si nxënës, shfrytëzojeni këtë mundësi për t’u thelluar në lëndët dhe temat që ndezin pasionin tuaj. Si mësues, udhëzoni dhe frymëzoni nxënësit tuaj me njohuritë dhe përkushtimin tuaj, duke bërë më shumë për të ofruar mbështetje aty ku është më e nevojshme”.

Ndërsa, nga prindërit kërkoi që të jenë përkrahës të fëmijëve të tyre.

“Dhe si prindër, vazhdoni të jeni shtylla mbështetëse për fëmijët tuaj, duke u rrënjosur besimin se asnjë pengesë nuk është e pakapërcyeshme”.

“Me përpjekjet kolektive të nxënësve, mësuesve dhe prindërve, mund të kapërcehen vështirësitë me të cilat sot po ballafaqohemi. Së bashku, ne mund ta kthejmë edhe këtë vit në një vit triumfi dhe arritjeje”.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar vitin e ri shkollor nga shkolla fillore “7 Marsi” në Suharekë.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ai ka thënë se synim vazhdojnë ta kenë rritjen e cilësisë së arsimit.

“Bashkë me kryetarin dhe deputeten Albana Bytyqi, po ashtu vizituam shkollën më të vjetër në Suharekë, shkollën fillore “7 Marsi”, me ç’rast takuam personelin dhe nxënësit”.

“Sot më shumë se çdo herë u emocionova teksa pashë nxënësit në hapat e tyre të parë në një botë me plot mundësi. Nxënësve ju thashë se jemi bashkë me ta, mësimdhënësit dhe prindërit, në synimin tonë drejt rritjes së cilësisë së arsimit dhe ndërtimin e një të ardhme më të ndritshme për vendin”, ka shkruar ai.

Ministria e Arsimit këtë vit dështoi në sigurimin e teksteve shkollore për filloristët, Arbërie Nagavci e cila drejton dikasterin në fjalë ka uruar 1 shtatorin – fillimin e vitit të ri shkollor – për të gjithë nxënësit e vendit, duke thënë se MASHT-i në koordinim me komunat kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e këtij viti shkollor.

Deri në këtë vit shkollor, shkollat në gjithë Kosovën kanë përcaktuar se me cilat libra duan të punojnë, të njëjtat i kanë dërguar listat e tyre në Drejtorit Komunale të Arsimit dhe më pas drejtoria i ka përcjellur ato lista në Shtëpitë Botuese, të cilat i kanë përgatitur librat dhe nxënësit kanë gjetur të gjitha librat e nevojshme në bankat e tyre në ditën e parë të shkollës.

Kur ka përfunduar procesi, Ministria e Arsimit i ka paguar Shtëpitë Botuese për librat.

Me arsyetimin se nuk janë marrë vesh për çmimet, Ministria e Arsimit ka vendosur që të shkëpus këtë zinxhirë bashkëpunimi dhe t’ua dërgojë paratë direkt në xhirollogari prindërve, nëse ata vendosin të aplikojnë në platformën e-Kosova për rimbursim.

Përveç se është komplikuar procesi, meqë tash prindërit angazhohen të pyesin njëherë në shkollë se çfarë libra duhet të blejnë, më pas të dalin t’i blejnë ato vetë, të aplikojnë në e-Kosova, ta mbushin formularin dhe të presin rimbrusimin.

Për më tepër, i gjithë plani nuk bën as sens ekonomik, nëse qëllimi ka qenë shpenzimi më i vogël.

Tani, në vend që ministria të paguajë direkt shtëpitë botuese duke e paguar librin aq sa e shet shtëpia botuese, librat do të blihen nga dora e dytë në librari, ku futet edhe fitimi i librarit që shet librin të cilin paraprakisht e ka blerë nga shtëpia botuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore