Kosova

Krasniqi: Deklarata e Kurtit për një koordinim midis partive kundër LVV-së, nuk qëndron


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka cilësuar si të paqëndrueshme deklaratën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se ka ekzistuar një koordinim i të gjitha partive tjera kundër Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet lokale.

Krasniqi ka thënë se Kurti është mirë të fokusohet tek defektet e brendshme, të cilat beson se i ka.

“Shpresoj që i evidenton, e i kupton dhe një prej tyre duhet të jetë arroganca e pushtetit e cila për këta nëntë muaj ka qenë shenjë dalluese e tyre”.

“Sa i përket bashkimit, mendoj se është një arsyetim i paqëndrueshëm edhe në kuptimin faktik, për shembull partitë opozitare jemi edhe ne, edhe Lidhja Demokratike edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Por, me AAK-në këta kanë pasur koalicione formale në disa komuna dhe në disa prej tyre kanë fituar, për shembull në Kamenicë”, është shprehur ai në KlanKosova.

Ai theksoi se LDK dhe LVV kanë pasur koalicion në Dragash.

“Pra nuk qëndron fakti që kanë qenë të gjitha partitë bashkë”.

“Nuk kemi pasur koalicion me LVV. Në Vushtrri i kemi ftuar, ata nuk janë përgjigjur. Por, besoj fuqishëm që ne e kemi pasur mbështetjen e votuesve të LVV-së në raundin e dytë sepse besoj që kanë zgjedhur t’i udhëheqë një kryetar si Ferit Idrizi për të kaluar nga periudha katër vjeçare e stagnimit në Vushtrri” tha Krasniqi.

Madje, Krasniqi ka paralajmëruar se kjo parti do t’i shkojë deri në fund çështjes së votave për Komunën e Dragashit.

Ai ka thënë se në rast të kthimit të përgjigjes negative nga PZAP lidhur me zarfet e dyshimta me postë nga diaspora, atëherë do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore deri në fund.

“Ka bazë për hetime nga prokuroria sepse do të ishte e papranueshme që një proces i mirë zgjedhor të dëmtohej nga një formë e tillë e organizimit, e cila e shkel legjislacionin në fuqi, pasi çdo qytetar e ka të drejtën e votën të pacenuar. Ne do të ndjekim rrugën ligjore dhe do të shkojmë deri në fund”.

Ndërkaq, Kandidati për kryetar të komunës së Dragashit, nga radhët e PDK-së, Shaban Shabani, ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me votat me postë në këtë komunë.

Shaban Shabani nga PDK

Kjo për shkak se, sipas tij, votat e ardhura nga diaspora janë të manipuluara. Dhe, të njëjta konstatime janë bërë nga vëzhguesit e PDK-së.

Në anën tjetër, Krasniqi, ka konfirmuar se ata nuk përjashtojnë marrëveshjet politike në nivel lokal.

“Nuk i përjashtojmë koalicionet me asnjë parti politike dhe asnjë kryetar pavarësisht se nga vinë”.

“Besoj se politikat lokale duhet ta kenë dinamikën e veçantë të veten. Mbështes degët tona për koalicione dhe do t’i kontaktoj nga jave e ardhshme. Vendimmarrjen jam i prirë t’ua lë atyre. Ju mbetet atyre që t’i marrin vendime e tyre. Kjo do të vlejë ku jemi të ftuar dhe ku do të ftojmë për koalicione”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore