Lajme

KQZ: Partitë politike të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje


“Zgjedhjet janë për qytetarët, partitë politike të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje”. Kjo ka qenë deklarata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Duke marrë në konsideratë retorikën politike të ditëve të fundit, KQZ-ja, me qëllimin për të përgatitur, zhvilluar dhe administruar në përputhje me standardet më të mira, zgjedhjet e datës 25 prill, u bën apel të gjithë aktorëve politikë për vetëpërmbajtje dhe maturi në sjelljen dhe mesazhet politike dhe elektorale të tyre.

Në deklaratë shkruhet se duhet mbajtur në vëmendje sjellja dhe retorika e udhëheqësve dhe përfaqësuesve politikë, sepse ato ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë te mbështetësit e tyre dhe ndikon në cenimin e standardeve të zgjedhjeve në vendin tonë.

“Partitë politike janë një element themelor i sistemit demokratik të vendit dhe janë një mjet thelbësor i shprehjes së vullnetit politik të qytetarëve dhe si të tilla kanë përgjegjësinë dhe detyrimin ndaj qytetarëve që të sillen me përgjegjshmëri dhe mature”.

Me anë të deklaratës, KQZ-ja dënon gjuhën e ashpër dhe sjelljen konfliktuale sepse nuk i shërben interesit të qytetarëve për zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike.

“Kusht ky, për integrimin evropian të vendit”.

“Jemi në prag të fillimit të fushatës zgjedhore, ndaj kandidatët dhe partitë politike duhet të respektojnë konkurrentet e tyre”, vazhdohet më tej.

KQZ bën thirrje të respektohet e drejta e qytetarëve, për të krijuar opinionin e tyre në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar, si dhe e drejta e tyre për të pasur zgjedhje të qeta, të lira dhe demokratike.

Gjithashtu, Komisioni u bën apel edhe zyrtarëve të angazhuar si garues në zgjedhjet e datës 25 prill, që të ndajnë angazhimin e tyre si kandidat për deputet me atë të drejtuesit të entit shtetëror përkatës.

“Zhvillimi i një gare të ndershme, në kushte të barabarta dhe duke respektuar standardet e kërkuara zgjedhore, i shërben zhvillimit demokratik të vendit”, përmbyll deklarata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore